18:05 / E Mërkurë, 27 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Facebook tregon se pse ia mbylli llogarinë këtij personi

Llogaritë e liderit çeçen Ramzan Kadyrov janë bllokuar në Facebook dhe Instagram, pasi ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane, njoftoi sot kompania Facebook.

Sqarimi i kompanisë Facebook vjen pas kërkesës së autoriteteve ruse, të cilat kërkuan përgjigje lidhur me bllokimin e llogarive të presidentit çeçen, i cili është lojal ndaj Rusisë.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe tani jemi të sigurt se këto urdhra menaxhohen nga subjekte, ose persona të tjerë, të cilët janë në listën amerikane të shtetasve të caktuar posaçërisht, andaj ata janë nën sanksione tregtare amerikane. Për këtë arsye, Facebook ka një detyrim ligjor për të çaktivizuar këto llogari,” thuhet në sqarim.

Ndryshe, Kadyrov ka akuzuar Qeverinë amerikane për trysni ndaj mediave sociale për të çaktivizuar llogaritë e tij, të cilat janë mbyllur të shtunën pa asnjë shpjegim.

SHBA ka vendosur sanksione financiare dhe në udhëtime ndaj Kadyrov javën e kaluar, për shkak të akuzave të shumta lidhur me abuzim me të drejtat humane.

Kadyrov është adhurues i mediave sociale, sidomos Instagramit. Ai ka më shumë se 3 milionë ndjekës në Instagram, në llogarinë në gjuhën ruse dhe mbi 750,000 në Facebook.