75 Mall Live Search
21:11 / E Martë, 25 Gusht 2020 / C E

Faktorët që çojnë drejtë shkurorëzimit (Divorcit)

Shkruan : Doruntina Grulaj

”Burrat dhe lidhjet të jashtëligjshme martesore duke u munduar të ruajnë statusin e tyre martesor, por sigurisht duke bërë edhe diçka të keqe që i ndihmon grat drejtë lehtësimit të shkurorëzimit.”

Secili person kur kalon moshën mitur e fillon e arrin moshën e pjekurisë, jetën e sheh në një këndvështrim tjetër por gjithmonë duke parë të ardhmen, punën, angazhimin dhe krijimin e familjes me pretendime për të pasur një jetë të shëndetshme dhe të lumtur .               Padyshim, familja si institucion social përbën thelbin e themelit të jetës sociale ajo mbetet rregullatore e pazëvendësueshme e harmonisë të marrëdhënieve. Është e padiskutueshme historikisht se familja ishte, është dhe do të mbetet gjithnjë faktori primar në formimin e socializimit të individit.

Zakonisht familjet në Kosovë deri pas lufte kanë funksionuar me mënyrën e jetesës me më shumë se 10-20 anëtarë të familjes, kjo njihet si familje e vogël kurse të mesme numëronte 20-40 anëtarë. Por, tani mund të themi se që nga koha e pasluftës, është e vështirë të gjesh familje që jetojnë ekonomikisht dhe në bashkësi, mbase dinamika e jetës ka ndryshuar. Nataliteti është në rënie dukshëm sepse gjithnjë e më shumë familjet po pakohen dhe të rinjtë e kanë të vështirë të vendosin për martesë kurse ata që  marrin një vendim të tillë jo rrallë shpesh ndodh edhe të divorcohen apo shkurorëzohen.

Sipas nenit 16 (3) të Deklaratës të Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut “ Familja është njësia bazë grupore e shoqërisë dhe i jepet mbrojtje nga shoqëria dhe shteti “.  Nga kjo bashkësi jo gjithmonë arrihet edhe rezultati i të jetuarit gjatë së bashku, shpesh edhe hasim faktorë tjerë social që na qojnë drejtë divorcit apo shkurorëzimit.

Nocioni i shkurorëzimit, në kuptimin domethënës, ka të bëj me prishjen e një marrëdhënie intime në mes të dy bashkëshortëve. Divorci është proces i ndërprerjes së martesës, duke përfshirë këtu anulimin ose riorganizimin e detyrave ligjore dhe përgjegjësive të martesës. Ligjet e divorcit ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në mbarë botën varet nga shteti ne shtet, por në shumicën e rasteve janë me gjykatë apo ndonjë autoriteti në një proces gjyqësor, ku caktohet aty kujdesi ndaj fëmijëve nëse kanë, vizitat ndaj fëmijëve, koha e prindërimit, ndarja e pasurisë, kujdestaria e fëmijëve, borxhi ndaj njëri-tjetrit. Vlen të theksojmë se gjithmonë në këtë mes ata që e pësojnë më së shumti janë fëmijët kur prindërit e tyre ndahen.

Kryesisht shkaqet që na qojnë drejt lindjes së divorcit janë : konfliktet mes bashkëshortëve, tradhëtia, dallimet e statusit të familjeve mes vete, diferenca e madhe në moshë, apo edhe martesa e detyruar e vajzave të cilat detyrohen të martohen ende pa arritur moshën e pjekur në aspektin psikologjik dhe atë social, pastaj janë edhe faktorë të ndryshëm të shkaqeve ekonomike, kemi edhe divorcin për përfitime materiale, siç njihet tek ne për letra, për të fituar shtetësi tjetër nga shtete tjera evropiane.

Një nga shkaqet më të rënda të divorcit është edhe abuzimi seksual, ai fizik po ashtu psikologjik. Abuzimet nga burri ose gruaja janë një zonë e madhe e shqetësimit për shumë çifte. Abuzimet fizike, psikologjike apo emocionale që vijnë në forma të ndryshme, të cilat ndryshojnë nga çifti në çift dhe nga familja në familje. Abuzimi është një nga arsyet më të zakonshme për divorc.

Duhet të kemi parasysh se gjithmonë faktorët që shkaktojnë divorcin apo ndarjen tek bashkëshortët e që si përfundim kanë prishjen e familjes, janë nga më të ndryshmit dhe asnjë çift nuk e kalon martesën në mënyrën e njëjtë secili ka mënyrën e të jetuarit, kanë edhe qasjen e ndryshme ndaj problemeve që ata hasin e që kjo automatikisht ndikon në të qëndruarit së bashku apo të ndahen.

 Divorci gjithmonë ka pasoja sepse ne mund ta kuptojmë se divorci si i tillë nuk përjetohet lehtë andaj edhe pasojat janë se mund të sjelli : depresion, ankth, agresivitet, largimi nga rrethi social, personat e ndarë nga partneri janë në një fazë të rëndë pesimizmi, ndihen të dobët fizikisht dhe emocionalisht, disa edhe qojnë në vetëvrasje. Kurse më se keqi që e pësojnë janë pikërisht fëmijët ata nuk duan ta humbin asnjërin prind, kjo u sjell ndikime negative psikologjike, jeta fillon u bëhet më ndryshe kur e kanë të programuar edhe kohën se sa duhet të qëndrojnë tek prindërit gjë që tek ta padyshim ndikon thellë në emocionet e tyre, fillojnë e ndryshojnë veten emocionalisht dhe nuk shfaqin para tjerëve, por thelle brenda tyre vuajnë.

Tek secili individ, duhet të kuptohet se për të mbijetuar familja dhe shoqëria e shëndosh si e tillë duhet ruajtur martesat e në këtë pjesë çiftet janë ata që mbajnë jetën e tyre në binar dhe të arrijnë në mirëkuptim pa u ndikuar nga pjesa tjetër e familjes, nga prindërit e tyre, apo edhe opinionet e të tjerëve kur bëhet fjalë jeta dhe lumturia e tyre, ata duhet të vendosin gjithçka pa u ndikuar nga askush dhe krejt kjo të jetë e pranuar nga të dyja palët. Ne jemi të vetëdijshëm se raportet mes burrit dhe gruas nuk janë të lehta por as nga të vështirat jo.

Duhet punuar shumë që marrëdhëniet dhe raportet mes çifteve të qëndrojnë gjithmonë pozitive dhe të jenë afër njëri- tjetrit, të mbahet mend thjeshtë se të gjitha problemet kanë zgjidhje e zgjidhja e ikjes ndaj tyre nuk është divorci, e duhet të jetë qoftë si zgjidhje e fundit atëherë kur të gjitha energjitë dhe mundësitë janë shfrytëzuar për të përmirësuar raportin e tyre si ishin në fillim.

Sipas statistikave të viteve të fundit divorci ka ngritje dhe kjo vjen edhe si lloj emancipimi duke e përdorur në termin negativ, gjithashtu duke theksuar se tani të rinjtë gjithmonë e më pak marrin përgjegjësi për veten dhe familjen e tyre, ndryshe nga ajo si ishin më herët, kur një i ri përfundonte shkollimin dhe po sa gjente një vend pune vendoste të krijonte familjen e tij, tani është po thuaj krejt ndryshe të rinjtë duan të jetojnë vetëm, edhe nëse kanë punën dhe shkollimin e përfunduar ata nuk janë në gjendje të marrin përgjegjësi të mëdha apo të rëndësishme.

Ne si shoqëri ende jemi në tranzicion dhe krahas kësaj edhe gjërat inovative kanë ndikuar që në shoqërinë tonë të kemi femra dhe meshkuj të rrebeluar duke u ikur përgjegjësive të tyre familjare. Pa dyshim edhe të drejtat e grave tani kanë ndikuar në atë aspekt që ato të vendosin më lehtë drejtë largimit nga një dashuri qoftë kushtëzuar apo edhe kur ndjejnë partneri i tyre nuk i vlerëson siç duhet dhe si e meritojnë ato kërkojnë shkurorëzimin e tyre, dhe të gjejnë ribashkim me një person tjetër, kjo gjë nuk ndodh shumë tek burrat sepse ata mundohen të mbajnë edhe lidhje të jashtëligjshme martesore duke u munduar të ruajnë statusin e tyre martesor, por sigurisht duke bërë edhe diçka të keqe që i ndihmon grat drejtë lehtësimit të shkurorëzimit.

Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm të kujdesshëm kur marrim vendime drejtë martesës dhe të japim maksimumin nga vetja për të krijuar një familje të shëndosh dhe të lumturojmë fillimisht veten, pastaj partnerin familjen dhe fëmijët padyshim meritojnë të jenë më të lumtur dhe nuk ka aspak dyshim se ata do të jenë të lumtur kur shohin edhe prindërit e tyre të buzëqeshur dhe gjithmonë me mirëkuptim mes vete, sigurisht edhe rezultati do të jetë se rrethi ngushtë familjar dhe shoqëria do të jetë më e shëndosh dhe do kemi më pak probleme e ato do jenë të kalueshme, edhe baticat dhe zbaticat janë pjesë e jetës por martesa me respekt, besim, mirëkuptim, dashuri dhe besnikëri kalon të gjitha barrierat.