22:02 / E Martë, 09 Mars 2021 / Blerim

Falë këmbës protezë, vajza 12-vjeçare siriane sërish shkon në shkollë duke ecur

Një vajzë 12-vjeçare siriane që ndodhet në Turqi është në gjendje sërish të ecë pasi iu vendos një këmbë protezë.

Seyma Elcellud u plagos rëndë në shpërthimin e një bombe në shtëpinë e tyre në qytetin Deir al-Zor të Sirisë 7 vjet më parë. Si pasojë, asaj iu amputua këmba e saj e majtë poshtë gjurit.

Në sulm humbën jetën 8 familjarë të saj, përfshirë nënën dhe vëllezërit e motrat e saj.

Ajo kërkoi strehim në Turqi së bashku me babanë e saj, Abdusellam Elcellud.

Gjendja e saj mori vëmendje në mediat sociale dhe një organizatë bamirësie, Aleanca e Mjekëve Ndërkombëtarë (AID), u aktivizua për ta ndihmuar atë.

Pasi iu vendos një këmbë protezë, ajo u regjistrua në një qendër arsimore të përkohshme në provincën turke Siirt më 14 shtator.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), ajo tha se më në fund iu realizua ëndrra për të shkuar në shkollë në këmbë.

“Kisha probleme për të shkuar në shkollë. Nuk mund t’i ngjitesha as shkallët pa ndihmën e dikujt. Falë bamirësve, unë kam një protezë. Plotësoj nevojat e mia pa ndihmën e askujt. Unë mund të shkoj në shkollë dhe të shëtis në kopsht me miqtë e mi”, shtoi ajo.

Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it goditi protestat pro-demokratike me një egërsi të papritur.

Turqia strehon rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.