75 Mall Live Search
11:20 / E Premte, 03 Korrik 2020 / indeksADMonline

Fali Ramadani mbetet mbret i merkatos, Pjaniqi e Sane vepër e tij

Se ndal dot as CoVidi-19! Në një periudhë të turbullt, kur pasojat e pandemisë kufizojnë çdo veprimtari, agjenti Fali Ramadani vazhdon të godasë fuqishëm, duke “furnizuar” me lojtarë ekipet më të mëdha europiane.

Edhe pse disi në hije dhe i paeksponuar në publik, është një shqiptar, që sërish bëhet protagonist i merkatos në Evropë. Nëse verën e shkuar spikati me tranferimin e Luka Joviq nga Ajntraht Frankurti në Real Madrid, këtë herë “plas” dy bomba edhe më të mëdha.

Tetovari konfirmohet një prej agjentët më të mirë në qarkullim, pasi brenda disa ditëve mbyll dy lëvizje gjigante. Po, është pikërisht Fali Ramadani agjenti që qëndron pas transferimeve të Miralem Pjaniqit dhe Sanes.

Fillimisht mbylli me sukses kalimin e boshnjakut nga Juventusi te Barcelona, ndërsa të enjten u zyrtarizua “bomba” e radhës kur reprezentuesi gjerman Leroy Sane nga Manchester City kaloi te Bayerni i Munihut.

Duke qëndruar larg vëmendjes së mediave, Ramadani nuk ka mungur të shmangte mediat gjermane, që e kanë “kapur” në “aksion” kur në shoqëri të Sanes e bashkëpunëtorëve të tij ishin ulur të drekonin në një restaurant në Munih, pas mbylljes me sukses të marrëveshjes me Bayernin.

Këto transferime “big” ende pa filluar mirë afati i transferimeve, vetëm se dëshmojnë ndikimin e madh të tetovarit në merkaton europiane, duke përforcuar pozitën e tij si një prej agjentëve më të mirë në botë, nëse jo edhe më i miri!