75 Mall Live Search
11:00 / E Martë, 17 Janar 2023 / AR

Falja e gjobave të Covid, PSD në kërkim të një deputeti opozitar për mbrojtjen e projektligjit

As në vitin 2022 nuk pati epilog për faljen e gjobave për shkelësit e masave të vendosura gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Deri më tani, lidhur me këtë çështje, është shqyrtuar një projektligj që synon faljen, i cili edhe është proceduar për në Kuvend. Por që edhe pas 3 muajve ende nuk është futur në rend të ditës.

Propozuesi i këtij projektligji, Nol Nushi i PSD-së për Indeksonline ka thënë se janë në proces të identifikimit të një deputeti opozitar i cili do ta mbrojë këtë projektligj në seancë.

“Për shkak që Kryesia e Kuvendit na e ka pamundësuar pjesëmarrjen në seancë, ne jemi në proces të identifikimit të një deputeti opozitar i cili do ta mbrojë këtë projektligj në seancë”, u shpreh Nushi.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të konfirmuara për Indeksonline, për mosrespektim të masave kundër Covid-19 janë gjobitur mbi 329 mijë persona.

“Ju informojmë se që nga hyrja në fuqi të ligjit antiCovid (26.08.2020) dhe deri në qershor të këtij viti, bazuar në këtë ligj, Policia e Kosovës ka shqiptuar për mosrespektim të masave anti-Covid-19 mbi 329.000 gjoba”, thuhet në përgjigjen e PK-së./Indeksonline/