75 Mall Live Search
17:33 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / H F

Falsifikim në tenderin e SHSKUK-së: Interlab përjashtohet pasi dorëzoi dokument të rremë nga prodhuesi kinez

Një tjetër rast shqetësues ka ndodhur në prokurimin publik, në sektorin shëndetësor. Kompania Interlab, në pronësi të Betim Sadriut, është përjashtuar nga tenderi i shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) në vlerë prej 250 mijë euro, pasi ka dorëzuar autorizim të falsifikuar nga prodhuesi kinez Comen Medical.

Tenderi kishte për qëllim furnizimin me pajisje mjekësore për njësitë përbërëse të SHSKUK-së, ndërsa kompania Interlab ishte ndër ofertuesit kryesorë në këtë proces, transmeton IndeksOnline.

Sipas njoftimit zyrtar të SHSKUK-së, gjatë verifikimit të dokumenteve është zbuluar se autorizimi i dorëzuar nga Interlab për produktin “Defibrillator with Monitor, AED and External Pacemaker” nuk ishte i lëshuar nga prodhuesi origjinal. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht nga vetë kompania Comen Medical në Kinë, duke vërtetuar se dokumenti ishte i falsifikuar.

“Ju në ofertën e juaj për ITEM A05 keni prezantuar autorizim të falsifikuar nga prodhuesi Comen Medical nga Kina. Kjo është vërtetuar nga vet prodhuesi,” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së drejtuar kompanisë Interlab.

Ky rast ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si disa kompani po përdorin dokumente të manipuluara për të fituar kontrata publike në sektorë jetikë si shëndetësia. Falsifikimi i dokumenteve në tenderë jo vetëm që cenon konkurrencën e ndershme, por edhe rrezikon cilësinë dhe sigurinë e pajisjeve mjekësore që përfundojnë në spitale publike.

SHSKUK thekson se procedura është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik Nr. 04/L-042, ndërsa kompania e eliminuar ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik.

Ky nuk është rasti i parë kur tenderët në sektorin e shëndetësisë në Kosovë përfshijnë dokumente të dyshimta apo të falsifikuara, por mbetet të shihet nëse rastet e tilla do të kenë pasoja konkrete ligjore apo do të kalojnë pa përgjegjësi.