12:55 / E Diele, 18 Qershor 2023 / shkelqim osmanaj

Falsifikonin pasaporta diplomatike për të shkuar në SHBA, 2 të arrestuar

2 persona janë arrestuar ndërsa  të tjerë janë nën hetim, ky ëhstë rezultat i operacionit të  përbashkët të policisë shqiptare me partnerët amerikanë, për goditjen e  veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve nëpërmjet pasaportave të falsifikuara.

Ata kanë arritur të zbulojnë  një rrjt të falsifikimit të pasaportave diplomatike, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve drejt SHBA-së.

Hetimi vijon në bashkëpunim me agjencitë partnere, për dokumentimin e përfshirjes në këtë veprimtari kriminale, të subjekteve të tjera nga vendet fqinje.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Njësinë  Speciale Policore “Joint Shield”, në muajin prill të vitit 2023, kanë arrestuar shtetasen shqiptare D. I., 56 vjeçe, në tentativë për të udhëtuar drejt SHBA-së, me një pasaportë diplomatike false, për të cilën pretendonte se ishte e lëshuar nga një OJF e njohur me emrin “PBF”, me seli jashtë teritorit të Republikës së Shqipërisë.

Nga hetimi janë grumbulluar prova për të paktën 4 shtetas shqiptarë të dyshuar të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve.

Në bazë të hetimeve të kryera, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka nxjerrë vendimet për ekzekutimin e urdhrave të arrestit për 2 shtetas të dyshuar, si dhe për kontrollin e 4 banesave dhe ambienteve të tjera.

Gjatë operacionit të përbashkët me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë arrestuar shtetasit D. M. dhe G. P., të dy banues në Korçë.

Për shtetasin G. P., Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shkak të moshës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen  ekzaminimeve të mëtejshme.

Kontrolle të autorizuara janë ushtruar edhe në subjekte të tjera të dyshuara të përfshira në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe të falsifikimit të dokumenteve.

Hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë.