Familja Berisha lutet: Na ndihmoni, kemi nevojë për gjëra ushqimore e pelena, për djalin 25 vjeç invalid

Familja Berisha nga fshati Smrekronicë i Vushtrrisë tash e sa kohë po përballet me kushte të rënda jetese.
Në një bisedë për IndeksOnline, kryefamiljarja Bahrija rrëfen për vështirësitë, për të cilat thotë se i kalon përditë.
Nëna Bahrije thotë se djali i saj, Jetoni, 25 vjeç nuk e ecën e as nuk flet, kjo pasi që ai vuan nga sëmundje të ndryshme që nga lindja.

E gjithë kjo situatë po e rëndon më së shumti atë, si nënë.
“Jemi shumë keq. Nuk kemi të ardhuna. Edhe tash jemi keq edhe për këtë muaj të Ramazanit. Me nga një paketë ushqimore na ka ndihmu Kryqi i Kuq dhe komuna. Po hjekim shumë, por njeri qenka më i fortë se guri”, ka thënë ajo për IndeksOnline.

“Djalin shumë shpesh e rrokë epilepsia. E humb vetëdijen. Është dhimbje e madhe. Ne e shtyjmë jetën me socialin e djalit të sëmurë, a ka ma vështirë? Burrin edhe me e thirrë dikush me punu e ka të vështirë pasi që unë nuk mundem me u kujdes për djalin vazhdimisht e vetme, është i rritun 25 vjeç nuk mundem me e mbajt pezull vetë, nuk mundem me pastru vetë është shumë shumë vështirë me u kujdes vetëm një njeri për të”, ka thënë ajo gjatë bisedës për IndeksOnline.

Nëna e 25- vjeçarit thotë se është kaq i dhimbshëm fakti për të, që shumë herë nuk i ka as ushqimet e nevojshme për të shtruar në tryezen e familjes.
“Shpesh herë burri del mbledh hekra sa për bukë, por zemra më digjet, edhe djalin smutë edhe mos më pas me honger a ka ma vështirë? Kur nuk kam pelena për djalë i vendosi arrna pasi s’kam qysh ia bëj. Jemi shumë keq. Shtëpinë na e ka ndërtu Nexhi Merovci. S’kemi të ardhuna kërkah tjetër”, ka thënë kryefamiljari Sherifi për Indeksonlinen.

Një ndihmë sado e vogel nga ju, do të thotë shumë për këtë familje. /IndeksOnline/