Familja Dehari para 6 vjetësh humbi edhe djalin e madh, aktivistin e LVV-së, Arbnor Deharin

Sot janë bërë gjashtë vjet nga ndarja nga jeta e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbnor Dehari.
Dehari ndërroi jetë në moshën 28- vjeçare nga rrëzimi nga ballkoni i shtëpisë së tij, ndonëse vdekja e tij konsiderohet e dyshimtë, disa thonë vetëvrasje e disa vrasje.
Vetë prindërit e Arbnorit nuk kanë pranuar asnjëherë se Arbnori kreu vetëvrasje, duke thënë se dyshojnë se dikush e ka hedhur nga ballkoni.
Ai ishte aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që nga vitet e para të formimit të saj, duke marrë pjesë në shumë aktivitete, aksione, protesta dhe demonstrata.
Ka qenë i ngarkuar me detyra konkrete dhe përgjegjësi brenda Lëvizjes…, duke qenë me vite anëtar i Sekretariatit për media dhe komunikim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Prej vitit 2012, i ndjeri ka qenë sekretar organizativ i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, duke qenë ndër aktivistët kryesorë dhe më meritorë në fushatën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në ato të përgjithshme.
Arbnori është vëllai i Astritit, i cili njësoj në rrethana të paqarta ka humbur jetën në burgun e Lipjanit në vitin 2016./IndeksOnline/
