75 Mall Live Search
09:08 / E Premte, 19 Mars 2021 / OSH

Familja e të burgosurit që vdiq nga Covid19, padit sistemin e burgjeve në Kaliforni

Familja e një burri që vdiq nga Covidi-19 në një burg në Kaliforni ka ngritur një proces gjyqësor federal kundër sistemit të burgjeve të shtetit dhe administratorëve të rangut të lartë për trajtimin e tyre të pandemisë, shkruan “The Guardian“, transmeton IndeksOnline.

Të mërkurën, avokatët që përfaqësojnë familjen e Daniel Ruizit ngritën një padi kundër zyrtarëve të Departamentit të korrigjimeve dhe rehabilitimit të Kalifornisë (CDCR) dhe disa administratorëve mjekësorë në California Institute for Men (CIM), një burg vetëm për burra në Kaliforninë e Jugut.

Padia pretendon që zyrtarët dhe administratorët e burgut kanë vepruar me indiferencë të qëllimshme kur nuk kanë arritur të merrnin masa të mjaftueshme paraprake për të frenuar përhapjen e Covidit gjatë një transferimi të burgut në maj ku 122 burra u transferuan me autobus nga CIM-i në burgjet e shtetit Corcoran dhe San Quentin. Para transferimit, San Quentini nuk kishte raportuar asnjë rast pozitiv të Covidit-19 dhe Corcorani kishte vetëm një. Por brenda një muaji nga transferimi, Corcorani raportoi pothuajse 130 infeksione dhe San Quentini arriti gati 1.200 raste.

Ruizi, 61 vjeç, ishte strehuar në San Quentin që nga janari 2020. Ai kontraktoi Covidin menjëherë pas transferimit dhe vdiq më 11 korrik, transmeton IndeksOnline.

Babai i gjashtë fëmijëve kishte astmë dhe sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD), gjë që e vuri atë në rrezik të lartë për t’iu nënshtruar Covidit-19. Familja e tij mësoi për diagnozën e tij dhe qëndrimin e tij dyjavor në një spital në San Francisco vetëm disa ditë para vdekjes së tij, sipas padisë.

“Askush nuk dëshiron që prindërit e tyre të vuajnë dhe të vdesin ashtu”, tha Daniel Ruiz Jr, djali i Ruizit, në një deklaratë./IndeksOnline/