Familja lutet që të ndalohet ekzekutimi i personit me IQ të ulët

Sarmila Dharmalingam po lutet për një mrekulli. Vëllai i saj, Nagaenthran Dharmalingam, do të varet në burgun Changi të Singaporit.
“Kur jam vetëm dhe mendoj për vëllain tim, kam dhimbje. Por ne duhet të jemi të guximshëm dhe të vazhdojmë të lutemi – çdo gjë mund të ndodhë”, tha ajo për BBC.
Në vitin 2009, atëherë 21-vjeçari Nagaenthran u kap duke u përpjekur të kontrabandonte heroinë në Singapor, nga Malajzia, transmeton Indeksonline.
Nagaenthran fillimisht duhej të varej të mërkurën në mëngjes, por u dha një ndalim në minutën e fundit të ekzekutimit . Të martën u zbulua se ai kishte Covid-19 dhe ekzekutimi u shtye për më tej.
Shtetasi malajzian u dënua me vdekje pavarësisht një vlerësimi nga një ekspert mjekësor se ai ka një IQ prej 69 – një nivel i njohur si tregues i një paaftësie intelektuale.
Por qeveria e Singaporit tha se ai “e kuptonte qartë natyrën e veprimeve të tij dhe nuk e humbi ndjenjën e gjykimit të së drejtës ose të gabuarës së asaj që po bënte”.
Singapori ka një nga ligjet më të ashpra të drogës në botë. Dënimi me vdekje është kryesisht i padiskutueshëm. Por ky rast duket se ka shkaktuar një shqetësim të rrallë në vend.
Nëse ai do të varet, do të jetë ekzekutimi i parë që Singapori kryen që nga viti 2019./Indeksonline/