Familja s’pranon t’i heq eshtrat nga varri që ndodhet në një trotuar fshati në Shtime
Në mes të trotuarit në fshatin Petrovë të Shtimes ndodhet një varr. Aty mendohet se është i varrosur trupi i Halil Rashitit, sic thonë në Komunë diku para rreth 200 vitesh. Pasardhësit e tij nuk po pranojnë që eshtrat e tij të zhvarrosen.
Kushdo që ia mësynë rrugës që dërgon për në shkollën e fshatit Petrovë të Shtimes do të hasë në diçka të jashtëzakonshme. Në mes të trotuarit përgjatë rrugës, ka më shumë se një shekull që pushojnë eshtrat e një anëtari të familjes Rashiti nga kjo komunë.
Për tu varrosur aty, besohet se ishte amanet nga vetë ai. E kjo duket se është edhe arsyeja se pse familjarët nuk po lejojnë që të zhvarroset prej aty.
E pavarësisht se ky varri gjendet në mes të rrugës, në komunën e Shtimes thonë se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë për të.
Zëdhënësi i kësaj komune, Lulzim Sahiti ka thënë se varri është i Halit Rashitit.
Sahiti deklaron se varri gjendet aty për rreth 200 vite dhe se dëshira e familjarëve ka qenë që të mbetet në të njëjtin vend.
“Ky varr është i Halit Rashitit, nga banorët e familjes Rashiti llogaritet të jetë biri i tyre. Sipas familjarëve i ndjeri është varrosur para shumë vitesh, afro 200 vite më parë dhe dëshira e familjarëve të të ndjerit është të mbetet në të njëjtin vend”, ka thënë ai.
Por, ndonëse varri gjendet në mes të trotuarit, për çudi nuk ka pasur ndonjë ankesë nga banorët.
Në komunë janë në pritje të ndonjë marrëveshje me familjarët për ta larguar prej aty.
“Jo, nuk kemi pasur asnjë ankesë. Aktualisht jemi në pritje të ndonjë marrëveshje me familjarët e të vdekurit!”, thuhet në përgjigjet e Sahitit drejtuar Gazetës Express.
Ndërkohë, sipas Rregullores për Varreza në Komunën e Shtimes, varrezat duhet vendosur në një vend me sipërfaqe të mjaftueshme, i përshtatshëm sipas konfiguracionit dhe kushteve të lokacionit për varrosje.
