17:15 / E Diele, 17 Mars 2019 / indeksADMonline

Familjarët e viktimave në Etiopi do të kompensohen

Familjet e viktimave të rrëzimit të avionit në Etiopi kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre pas konfirmimit se ata mund të marrin nga 170 mijë deri në 250 mijë dollarë kompensim për çdo person të humbur, transmeton Indeksonline.

Pagesa varet nga faktorët si mosha, profesioni e detaje të tjera. Shuma mund të jetë edhe më e madhe, në varësi nga hetimet që janë duke u bërë, e veçanërisht nëse vërtetohet se linja ajrore është fajtore për rrëzimin e aeroplanit.

Mirëpo, lidhur me këtë, të shtunën, zyrtarët etiopian refuzuan të jepnin ndonjë shifër për familjet që do të presin në kompensim.

Ata shumë shkurt thanë se kjo do të vendoset sipas “standardeve ndërkombëtare”.

Lucas Nzioka, familjar i një nga 157 viktimave, tha se në seancën e mbyllur iu është thënë kompensimi do të udhëhiqet nga Konventa e Montrealit.

“Na thanë se mund të ishte midis $ 170,000 dhe $ 250,000 në varësi të moshës, profesionit dhe kështu me radhë. Duhet të bëhet brenda 18 muajve”, tha Nzioka.

“Kur njëri prej nesh pyeti se sa do të na jepet si kompensim në takimin tonë, zyrtari i linjës ajrore nuk dha asnjë shifër por vetëm na tha se do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të kompensimit. Unë nuk e di se sa është në këtë moment”, tha Kariuki Munyi, i cili humbi vajzën e tij.

157 persona kanë mbetur të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Etiopi. Shkaqet e rrëzimit të këtij aeroplani ende nuk dihen. /Indeksonline/