Familjari i të pagjeturve e porosit Kurtin : Pyeti Vuçiçin e Daçiqin për bacën Ukë, ta dimë ku e çoi

Kryeministrit Albin Kurtit gjatë homazheve te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe i është bërë një pyetje nga një familjar i të pagjeturve, shkruan IndeksOnline.
Ai pyeti Kurtin se a do të jetë prioritet në qeverinë “Kurti II” çështja e të pagjeturve në dialog me Serbinë.
“Vuçiqit e Daçiqit t’thoni me qet datë është marrë Ukshin Hoti, kur nuk është kanë masakëra e Krushës, duhet të japësh përgjegjësi para botës ku e ke çu, çka bane me ta. Nëse merrni në dialog kërkojani emrin e bacit Ukë , ta dimç se ku e çoi serbi”, tha familjari.
Kurti iu përgjigj se dialogu me Serbinë nuk do të jetë dialog ku shtrohen kërkesat e Serbisë, por ato të Kosovës për drejtësi.
“Pa dyshim që në raport me Serbinë ne e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të kryera gjatë luftës, meqenëse nuk mund të kemi ardhmëri, paqe, drejtësi, progress nëse nuk i trajtojmë këto krime macabre që janë kryer në vendin tonë.

Këto krime kanë ndodhur në jetën tonë, e cila është përplot vuajtje e dhimbje.
Në raport me Serbinë çështja e të pagjeturve dhe krimeve të luftës do të jetë prioritet, nuk do të jetë ai dialog ku do të dëgjojmë kërkesa të vjetra të Serbisë, por do të jetë dialog ku ne shtrojmë kërkesa për drejtësi”, tha ai./IndeksOnline/
