75 Mall Live Search
18:27 / E Martë, 09 Gusht 2022 / OSH

Faqja e zezë e turizmit: Nuk shkoi te restoranti i tyre në Vlorë, shihni çfarë i bëjnë “bandat” pushuesit

Turizmi në jug të Shqipërisë më shumë se sa nga çmimet e kripura është i rrezikuar nga sjellja e dhunshme e pronarëve të restorante dhe lokaleve që operojnë në zonë.

Dy ditë më parë një pronar restoranti ndoqi me thikë në dorë në mes të rrugës klientin, i cili ishte larguar pa paguar për shkak se nuk i ishin dukur normale dhe të logjikshme çmimet e ushqimeve që kishte konsumuar.

Ndërkohë që ditën e sotme, një tjetër qytetar ka treguar një histori aspak të këndshme që i ka ndodhur në Orikum.

Fatmir Gjoni ka ndarë në Facebook historinë e tij aspak të këndshme ndërsa ka shkuar të drekojë në një restorante në Orikum.

Gjoni tregon se për të respektuar një mikun e tij nga Italia e kishte ftuar për drekë në një restorant të mirë peshku në Oriku7m, dhe sapo kanë arritur atje, ka parkuar makinën buzë rruge.

Por sapo ka dalë nga mjeti dikush i është afruar dhe i ka thënë që të largojë mjetin, edhe pse aty nuk kishte asnjë tabelë që parkimi ishte privat, për më tepër kur makina ishte parkuar në mes të rrugës, që është pronë publike.

Ai sqaron se pasi ka debatuar për disa sekonda me “pronarin” e rrugës është larguar në drejtim të Restorantit sëbashku me mikun e tij, por kur është kthyer është përballur me një surprizë aspak të këndshme.

Makinës së tij i kishin shpuar gomat. Fatmiri sqaron se si njohës i mirë i zonës e ka zgjidhur privatisht rastin, por më pas ka lajmëruar edhe policinë, që asnjë turist tjetër mos përballet më me situata kaq të turpshme.

Fatmir Gjonit:

“Gozhda” që po i ngulet turizmit shqiptar

Po habitemi përditë me çfarë po ndodh në këtë vend. Fatkeqësisht gjithkush ka një histori personale për të treguar këtë verë me turizmin shqiptar.

Po sjell edhe unë një të freskët të ndodhur jo më larg se dje. Nuk e sjell për t’u ankuar sesa për të reflektuar kushdo që ka diçka në dorë në këtë vend por edhe për ne si qytetar të tij.

Dje kisha planifikuar të bëja plazhin në bregdetin e Vlorës, me një mik që më kishte ardhur nga Italia. Dita rrodhi e tillë. 1000 lekë shezllon, pa faturë. E durova. Në lokalin kioskë një birrë kanaçe Heineken e vogël mu shërbye nga një fëmijë jo më shumë se 12 vjeç. Sërish pa faturë dhe me një çmim prej 400 lekë copa ose 3.5€. I durova edhe këto tre padrejtësi njëherësh. Erdhi vakti i drekës dhe vendosëm bashkë me mikun tim të shkonim në një restorant peshku me emër dhe i vjetër në zonë. Marrim makinën dhe shkojmë. E gjjthë rruga nacionale në të dy krahët ishte e mbushur me makina pushuesish. Tek lokali nuk kishte vende dhe ecën edhe nja 40 metra më tutje nëpër rrugën nacionale në drjetimin për Orikum. Qëllova me fat sepse në atë moment një makinë me targa kosove lëvizi nga ku ishte parkuar dhe e futa unë direkt. Pasi e kisha mbyllur makinen e po shkoja për nga lokali dëgjoj dikë që po thirrte nga pas. Kthej kokën pas, ndalem dhe e kuptova që po më thërriste mua. Më kërkoi se ku do shkoja. U habita. Nuk e dija se me çfarë tagri del dikush në rrugë pa të njohur e pa ditur të të pyes se ku shkon. Mu kujtua vetem pyetjet e policisë në kufij që të pyesin se ku shkon. Gjithësesi ju përgjigja që po shkoja tek restoranti për drekë. Pa marr frymë akoma më urdhëroi të heq makinën e ta parkoja andej nga do shkoja. U habita dyfish. Mirë që më kërkoi llogari nga do shkoja por tani më tregonte edhe nga të shkoja. Makina ishte e parkuar në rrugë nacionale. Biles 2 gomat preknin asfaltin. E informova që aty ishte rrugë nacionale. Që nuk kishte asnjë tabelë askund që tregonte parking privat e as ku ndaheshin këta që ndanin rrugën nacionale. Më pasoi një urdhër i dytë ku më tha se nuk ka nevojë për tabelë përderisa po të them unë ta lëvizësh. Ndërkohë i kishin ardhur në përkrahje djali diku 17 vjeçar e një tjetër i afërm i rritur.

– Më fal i thashë por unë nuk mund të marr urdhëra nga kushdo që më del në rrugë se ku duhet të shkoj e çfarë të bëj me makinën time. Nëse unë kam cënuar pronën apo të drejtën tënde më mirë merr në telefon policinë. Sepse këtu është rrugë nacionale dhe unë jam po aq pronar sa ti në të. Do ha drekë e largohem për më pak se 2 orë.

Ika e u ula në restorant. Por me mendjen pas sepse e pashë që shikimet e tyre nuk ishin as mikëpritëse e as që mund t’u zije besë.

Mbarova drekën dhe u ktheva tek makina.

Para se ta nisja thashë ta kontrolloj makinën se mos m’i kanë bërë gjë, ndonjë gërvishje apo diçka tjetër nga ato marifetet e mendjeve të mbrapshta shqiptare. Dhe nuk gabova. Gomën e parë e kishin shfryrë nga ventili, dhe gomës së pasme i kishin ngulur gozhdë. Nuk e besova dot që në vitin 2022 të përballesh me të tilla situatash. Personat nuk ishin më aty. Dola e i kërkova vetë.”