Faton Peci: Do të jem kryetar i të gjithëve, me përgjegjësi e përulësi
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka dalë fitues në balotazhin e mbrëmshëm në Mitrovicë, duke mposhtur kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, transmeton IndeksOnline.
Pas shpalljes së rezultateve preliminare, Peci ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se kjo fitore është e qytetarëve dhe e vullnetit për ndryshim.
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës, pas shpalljes së rezultatit të mbrëmshëm, dua t’ju drejtohem me një falënderim të përzemërt, meqë me besimin tuaj më keni dhënë përgjegjësinë më të madhe gjatë gjithë jetës sime politike, të shërbej tashmë si Kryetar i Mitrovicës sonë. Faleminderit për besimin, mbështetjen dhe punën e palodhshme. Kjo fitore është e juaja, është e Mitrovicës dhe e gjithë qytetarëve të saj që nuk janë lodhur së kërkuari dinjitet, drejtësi dhe qeverisje të ndershme”, ka deklaruar Peci.
Ai theksoi se do të punojë me përulësi, transparencë dhe integritet, duke premtuar luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe llogaridhënie të plotë në çdo vendim.
“Do të punoj me përulësi para qytetarëve të mi, me vendosmëri, përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, me transparencë e llogaridhënie në çdo vendim, me respekt e mirënjohje për çdo lagje, çdo fshat e çdo familje të Mitrovicës”, ka shtuar ai.
Peci falënderoi strukturat e Vetëvendosjes, Partinë Guxo, aktivistët, vullnetarët dhe Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen e vazhdueshme. Ai e vlerësoi Kurtin si “njeri të drejtë, trim dhe të ndershëm, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, duke luftuar kontrabandën, krimin dhe strukturat paralele”.
Në fund, Peci premtoi një qeverisje që dëgjon dhe mban fjalën, me fokus në zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Do të jem kryetar i të gjithëve, pa dallim partie apo bindjeje. Interesi publik do të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër. Mitrovica do të trajtohet me dinjitetin që meriton, si qytet i sakrificës, punës dhe guximit”, përfundoi ai./IndeksOnline/

