20:05 / E Mërkurë, 03 Mars 2021 / Blerim

Faton Peci: Rezultati i sotëm i votave nga Mërgata është kontribut në etapën e katërt

Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës ka reaguar edhe krahu i djathtë i Vjosa Osmanit, deputeti i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Faton Peci.

Ai në një postim në Facebook, ka lavdëruar mundin e diasporës ndër gjenerata për sakrificën që kanë bërë për Kosovën.

Postimi i plotë i Faton Pecit:

Rezultati i sotëm i votave nga Mërgata është kontribut në etapën e katërt, atë të shtetndërtimit dhe dashurisë ndaj vendit.

Ata janë qytetarë tanë, të  cilët u larguan me lot në sy, me mall për vendlindjen dhe të vetëdijshëm për sakrificën që duhet bërë.

Ata e mbajtën Kosovën gjallë, duke e financuar  sistemin paralel për dhjetë vite. Njësoj siç i mbajtën gjallë familjet e tyre.

Janë ata që e financuan dhe morën pjesë aktive në luftën e popullit të Kosovës për çlirim.

Ata rindërtuan Kosovën e pasluftës, nga dëmet e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Mërgata me votën e 14 shkurtit u bë shtytëse kruciale për t’i dhënë Kosovës kahun e nevojshëm dhe të duhur për periudhën që e kemi përpara. Kontribuan njësoj sikurse në tri etapa të mëhershme të rëndësishme përgjatë historisë.

Mërgata është katalizatori i shteti tonë, ndaj jo që do t’u jemi mirënjohës përherë, por do t’i bëjmë pjesë të vendimmarrjes për një të ardhme që e duam të gjithë!

Faleminderit Mërgatë❤