Fatos Klosi do të dëshmojë në Hagë në mbrojtje të liderëve të UÇK-së

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), profesor Fatos Klosi, ka deklaruar se është ftuar si dëshmitar në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar në mbrojtje të liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Klosi në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në “Dritare TV”, ka theksuar se shumë dëshmitarë nuk po akuzojnë drejtpërdrejt komandantët e UÇK-së dhe se mungesa e provave konkrete ka zgjatur procesin ndaj tyre.
“Dëshmitarët që janë thirrur në Hagë nuk po përmendin emrat e ish-krerëve të UÇK-së, sepse nuk kanë qenë asgjëkundi në skenë. Edhe nëse kanë bërë ndonjë hile, ose krim, nuk e kanë bërë në sy të dëshmitarëve. Pra, ata nuk po i akuzojnë për gjëra konkrete, por sepse kishin një ushtri dhe nuk ishin në gjendje ta kontrollonin. Ata nuk kanë prova konkrete për komandantët. Ndaj po zgjatet tani procesi. Fakti që po i mbajnë në paraburgim për kaq shumë kohë duket sikur duan t’i shpallin fajtorë, por vështirë të ndodhë. Mua më ka kërkuar mbrojtja si dëshmitar në Hagë. Do të shkoj, por unë nuk kam qenë në Kosovë asokohe, sepse pjesa më e madhe e problemeve janë pasi kanë hyrë ushtritë aleate në Kosovë, kur UÇK-ja nuk ishte më operative”, ka thënë Klosi.
Profesor Klosi ka thënë se roli i komandantëve politikë të UÇK-së shpesh është duke u keqkuptuar, pasi sipas tij ata nuk kanë vepruar drejtpërdrejt në terren, por kanë organizuar ushtrinë, gjë që ka vështirësuar gjykimin dhe proceset gjyqësore.
Më tutje, ai ka thënë se shumë nga akuzat ndaj udhëheqësve të UÇK-së në Gjykatën e Hagës janë të fabrikuara. “Hetimi u zhvillua me kohë të gjatë dhe kufijtë u tejkaluan në mënyrë të dukshme, gjithmonë me qëllim të nxjerrjes së sa më shumë dëshmitarëve. Natyrisht, shumë gjëra kanë ndodhur, por është e qartë që akuzat ishin shpesh të fabrikuara”, ka thënë Klosi.
Deri më tani në mbrojtje të liderëve të UÇK-së kanë dëshmuar ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams.