12:23 / E Enjte, 21 Janar 2021 / C E

Fauci: SHBA-ja do t’i bashkohet programit COVAX për shpërndarjen e vaksinave

Nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara synojnë t’i bashkohen programit global për shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në vendet e varfëra, i njohur si “COVAX”.

Kështu i tha Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), këshilltari kryesor mjekësor në SHBA, Anthony Fauci.

Ky vendim u mirëprit nga shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili tha se kjo “është një ditë e mirë për OBSH-në dhe shëndetësinë në botë”.

“Presidenti Biden do të lëshojë një urdhër, i cili do të përfshijë synimin e Shteteve të Bashkuara për t’u bashkuar me programin ‘COVAX’ “, tha përmes një video adresimi Fauci.