Faza finale e gjykimit të madh: Sot dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pritet të nis sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës – me seli në Hagë të Holandës – do të nis në orën 9:00, ndërkaq për publikun transmetohet me 45 minuta vonesë në faqen zyrtare të gjykatës.
Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë.
Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.