75 Mall Live Search
15:18 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

Fazliu: S’ka nevojë të mbrohen dëshmitarët e prokurorisë serbe, ata nuk janë të drejtësisë por të Serbisë!

Ish-kryetari i Organizatave të Dala nga Lufta, Faik Fazliu është përfshirë në debatin e fundit rreth Dosjeve të Gjykatës Speciale të cilat janë dorëzuar në Zyrat e OVL-UÇK-së në Prishtinë.

Sipas tij, dëshmitarët e Gjykatës Speciale nuk kanë nevojë të mbrohen, duke e lidhur me shtetin e Serbisë.

“Nuk ka nevojë të mbrohen dëshmitarët e prokurorisë serbe ,ata nuk janë të drejtësisë por të Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka thënë se dokumentet e dërguara në OVL-UÇK,  janë dokumente origjinale të Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se sot kanë pasur një vizitë të pakëndshme në zyrat e OVL-UÇK-së.

“Sot kemi pasur një vizitë të pakëndshme në OVL të UCK-së, kanë ardhur hetuesit e Gjykatës Speciale. Me këshillën e  avokatit Gashi këto materiale i dorëzuam. Tashmë më në fund është vërtetuar se këto dokumente janë të Gjykatës Speciale apo të Dhomave të Specializuar, në Hagë”, ka thënë Gucati.