FC Prishtina e lartëson Remzi Ejupin: Kryetari më jetëgjatë dhe më i suksesshëm i klubit

FC Prishtina e ka lartësuar Remzi Ejupin.
Presidenti legjendar u largua sot nga klubi Bardhekaltër duke i shitur krejt aksionet që i kishte.
Ejupi i dha fund epokës 20 vjeçare, ndërsa la gjurmë të pashlyeshme në klubin më të madh në vend.
Madje, në Kuvendin e sotëm, Remzi Ejupi u shpall President Nderi i FC Prishtinës.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e klubit kryeqytetas, i cili e nderoi me këtë rast presidentin që iu solli dhjetëra trofe, por duke i përmendur edhe kontributet tjera që i dha biznesmeni kosovar për klubin dhe për futbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi.
“Kuvendi i FC Prishtina i mbajtur sot më 21 shtator, ka vendosur për President Nderi, Remzi Ejupi për përkushtimin e pashembullt, sakrificën e pafund dhe pasionin e vërtetë në ndërtimin e një tradite futbolli të fuqishme në Kosovë e për frymëzimin e brezave të rinj për të ndjekur ëndrrat e tyre futbollistike, si figurë e shquar e si lider i shkëlqyeshëm sportiv. Për arritjet e tij të shkëlqyera me FC Prishtina dhe për gjurmët që do të mbesin pjesë e patjetërsueshme e klubit përgjithmonë.
Z. Remzi Ejupi është kryetari më jetëgjatë i FC Prishtina, për 20 vite kontribut në klubin më të madh në vend.
Z. Remzi Ejupi është kryetari më i suksesshëm i FC Prishtina me 16 trofe të fituar: 5 tituj kampioni, 5 trofe të Kupës së Kosovës dhe 6 trofe të Superkupës.
Z. Remzi Ejupi është akteri kryesor dhe më meritori që sot sporti në Kosovë dhe në veçanti futbolli, si lobuesi kryesor për miratimin e Ligjit për Sponsorizim.
Z. Remzi Ejupi është më meritori që sot, FC Prishtina, si klubi i vetëm në Kosovë, gëzon pronën e saj të kompleksit sportiv, si lobuesi kryesor te ish-Qeveria Haradinaj.”