21:30 / E Mërkurë, 11 Mars 2020 / indeksADMonline

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë organizoi Konferencë Shkencore për nder të 8 Marsit në Holandë

Holanda, vendi i luleve, sot ishte nikoqir i Konferencës së pestë, organizuar nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë. Kjo Konferencë u mbajt në Roterdam në Klinikën e syve të këtij qyteti. Ndonëse shumica e grave dhe vajzave festonin ditën e tyre, 8 Marsin, për drejtuesen e kësaj federate zonjën Elona Meta Haubrich, ishte më tepër se vetëm një ditë feste. Ajo e shoqëruar nga motra e saj Dr. Aurora Meta Dollenberg, nënkryetare e Federatës, 8 Marsit ia kishin dedikuar këtë Konferencë. Ato dhe shumë doktoresha tjera pjesëmarrëse, ditën e tyre kishin vendosur ta shndërrojnë në ditë pune dhe shkëmbim njohurish në fusha të ndryshme të mjekësisë. Në këtë Konferencë morën pjesë mjekë nga shumë qytete të Holandës po edhe nga shtetet tjera për rreth si: Gjermania, Austria e Franca.

Në sallën e konferencave të këtij spitali të stolisur me lule e mbishkrime me këshilla nga fusha e mjekësisë të nxjerra nga temat që do trajtoheshin në këtë Konferencë njëditore, fjalën hyrëse e mbajti Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Dr. Elona Meta Haubrich e cila në mes të tjerash tha: “Të dashur zonja dhe zotërinj, kam kënaqësinë që në emrin tim dhe të gjithë mjekëve të Federatës t’ju shpreh mirënjohjen time për pjesëmarrjen tuaj në këtë Konferencë. Sot është një ditë feste për të gjitha femrat në mbarë botën, ndërsa ne në vend të kremtimit kemi vendosur që të sjellim përvojat tona në shërbim të shëndetit për njerëzit, pikërisht në datën kur shënohet dita ndërkombëtare e femrave. Prandaj, përtej kremtimit, jemi mbledhur sot para jush për të bërë një hap më tutje në shërbim të shkencës, duke ndarë me ju përvojën tonë si femra intelektuale në fushën e Mjekësisë. Dua që në këtë ditë feste të ndaj me ju bashkë idenë e formimit të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, ngase kjo ide pa kontributin dhe shtytjen tuaj si mjekë pjesëmarrës në aktivitete të kësaj fushe as që do të kishte kuptim. Prandaj ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj sot. Shpreh mirënjohjen time për të gjitha ata që na kanë mbështetur në ato vende ku jemi paraqitur deri më tash, si në Shqipëri, Kosovë, Itali, Maqedoninë e Veriut dhe sot në Roterdam të Holandës. Ideja për të bashkuar dijen dhe vullnetin për të ndihmuar njerëzit në nevojë më ka preokupuar si studente e mjekësisë në Tiranë e deri më sot kur po e zhvillojmë Konferencën e radhës së bashku me ju sot.”

“Qëllimi ynë,” –tha zonja Meta Haubrich, “është të bëhemi bashkë në bashkimin e dijes dhe dashurisë për atdheun dhe një ditë të jemi në gjendje ta ndihmojmë atë vend të izoluar, të cilit i është vjedhur shpresa dhe mundësitë për përparimin e gjeneratës së re, e veçanërisht në fushat e ndjeshme siç është shëndetësia dhe arsimi. Nuk ka atdhe të keq as të varfër, atë e bëjnë të pashpresë njerëzit që nuk ia duan të mirën dhe e detyrojnë shtresën më të ditur të largohen nga atdheu për t’i shërbyer njerëzimit në vende ku ta çmojnë dijen dhe aftësinë për të ecur përpara. Gjenerata jonë ia ka dëshmuar njerëzve të tillë se të rinjtë dinë të marrin rrugën e mërgimit në ato raste kur atdheu ia pamundëson zhvillimin dhe avancimin e tyre dhe e gjejnë veten në vendet e përparuara ku u ofrohet mundësia për të dhënë kontributin e tyre. Jam e bindur që sot në këtë Konferencë, shumica e të pranishmëve jemi studentë të ekselencës dhe sot besojmë që kemi bërë krenarë vendin prej nga vijmë me të arriturat tona. Unë nuk do e zgjas më shumë por duke jua uruar edhe një herë festën e 8 Marsit, e kaloi fjalën për te referuesja e parë, me një urim të Rilindësve tanë drejtuar të gjithë mërgimtarëve kudo që ata jetojnë “duaj mëmë e duaje at, por më tepër duaj Atdhenë”. Punë të mbarë dhe suksese u uroi pjesëmarrësve, kryetarja Dr. Elona Meta Haubrich. 

Me një prezantim të shkëlqyeshëm dhe frytdhënës për fushën e mjekësisë u paraqit Dr. Olta Gishti me temën: ”Faktorët e rrezikut mikrovaskular dhe kardiovaskular te fëmijët”. Ky studim u përcoll me interesim nga të pranishmit dhe në mbarim të studimit të saj ajo u përgjigj edhe në shumë pyetje nga të pranishmit. Referuesja e radhës ishte Dr. Ilda Fouquet, specialiste e dhëmbëve që jeton dhe punon në Amsterdam. Zonja Fouquet punimin e saj e kishte analizuar në faza të ndryshme duke filluar nga roli i dentistit si aktor kryesor në diagnostikimin primar të pacientit dhe trajtimin global të tij, objektivat e shëndetit publik, konsiderimin parësor të gjendjes periodentale si indikatorë të shëndetit, rezultatet e fundit mbi disa sëmundje që kanë impakt madhor dhe anasjelltas në gjendjen periodentale, trajtimin multidisiplinar të sëmundjeve periodentale, si dhe rastet klinike në bashkëpunim me dr. Fievet Cedric, specialist në peridotologji si dhe profesor në Universitetin e Parisit. 

Në vazhdim, fjalën e mori Dr. Najada Stringa, e cila para të pranishmëve u paraqit me temën e doktoratës së saj, tema e së cilës fokusohet në rolin e faktorëve gjenetikë dhe ndërveprimin midis gjeneve dhe mjedisit në sëmundjet e lidhura me moshën. Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Po ashtu, ka mbaruar Masterin në Epidemiologji Klinike në Universitetin Erasmus në Roterdam. Aktualisht është duke përfunduar doktoratën në Qendrën Mjekësore Universitare në Amsterdam. Në bashkëpunim me kolegë nga Holanda, Amerika, Anglia, Gjermania, Spanja, Italia e më gjerë, Dr. Stringa po punon në identifikimin e markerave të rinj gjenetikë të lidhur me këto sëmundje. 

Në këtë Konferencë, me punimin e saj “Sëmundjet reumatizmale dhe manifestimet e tyre” u paraqit edhe Dr. Besjana Veizaj, punim që zgjoi interesim të jashtëzakonshëm te të pranishmit. Meqë sëmundjet reumatike në vendin tonë janë të përhapura në masë të madhe, ajo përmes punimit të saj shpalosi rezultatet dhe gjetjet e kërkimeve të saj, për t’u dalë në ndihmë njerëzve në nevojë të atakuar me këtë sëmundje. Punimi ishte në nivel të lartë dhe me përmbajtje të strukturuar mirë, ku veç kësaj, në fund pjesëmarrësit patën rastin të marrin edhe informata shtesë me pyetjet të cilat ia parashtruan doktoreshës në fjalë, e cila u përgjigj në mënyrë profesionale. Gjithashtu ajo theksoi se kjo sëmundje, personat e atakuar, i përcjellë përherë me perioda të caktuara gjatë gjithë jetës. 

Me një punim interesant u shfaq edhe Dr. Bruna Dhamo, specialiste e dhëmbëve, e cila shpalosi idenë e saj në ndikimin e kariesit në zhvillimin e dhëmbëve të fëmijëve dhe adoleshentëve. Ajo përmes punimit, përcolli disa informata te pjesëmarrësit, duke thënë se prishja e dhëmbëve ose kariesi shkatërron indet e forta të dhëmbëve, si rezultat i aktivitetit të lartë të mikrobeve të pranishëm në gojë. Rezultat i kësaj prishjeje janë vlerat e ulëta ushqyese, si dhe përmbajtja e lartë e sheqerit në to. Sipas studimit të saj del se sa më e lartë të jetë vlera e kariesit në dhëmbët e qumështit, aq më vonë do të jetë zhvillimi i dhëmbëve të përhershëm. 

Në fund, duhet shtuar se interesimi për pjesëmarrje ka qenë shumë i madh dhe me interes në bashkimin e ideve inovative në fushën e mjekësisë në shërbim të atdheut. Kontribut të madh në këtë Konferencë dhanë: Dr. Afërdita Bylykbashi Berisha, mjeke e mjekësisë ligjore, me përvojën e saj 27-vjeçare në Holandë, specialistja Ariana Cakiqi nga Kosova, e lindur në Holandë, e cila edhe pse ka lindur në Holandë, me një shqipe të gërshetuar me theks holandez, la përshtypjen te të gjithë të pranishmit me pyetjet që shtroi dhe me performancën e saj profesionale si dhe gatishmërinë për të bashkuar dijen e saj në Federatën e Mjekëve Shqiptarë në Evropë. 

Në përmbyllje të punimeve të Konferencës, u zgjodh edhe grupi punues për Holandë në kuadër të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, në përbërje: 

  1. Dr. Ilda Fouquet – kryetare;

2. Dr. Afërdita Bylykbashi Berisha – anëtare nderi;

3. Ariana Cakiqi – anëtare. 

Këtë Konferencë me nga një fjalë rasti e nderuan edhe kryetarja e Shoqatës së Shqiptarëve në Holandë, zonja Pali Loman, si dhe Enver Avdija, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Kosova” në Holandë. 

Për nder të 8 Marsit, zonja Loman kishte organizuar për anëtarësinë e saj dhe mjekët pjesëmarrës në Konferencë, një koktej rasti për mjekët pjesëmarrës në këtë Konferencë, me ushqime tradicionale nga viset shqiptare. 

Në ndarje nga ky takim, Dr. Aurora Dollenberg falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në Konferencë dhe grave pjesëmarrëse në koktej ua uroi 8 Marsin me dëshirat dhe urimet më të mira për to dhe të gjitha femrat shqiptare.