15:32 / E Mërkurë, 21 Qershor 2023 / MSH

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë dënon sulmin ndaj punonjësve shëndetësorë në Prizren dhe Pejë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës ka reaguar pas sulmeve që janë bërë ndaj një punonjësi të shëndetësisë në QKMF në Prizren dhe atij në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

FSShK ka dënuar sulmet, teksa ka kërkuar nga autoritetet që të hetohen këto raste.

“FSSHK kërkon nga organet e rendit dhe të sigurisë që të gjitha këto sulme dhe kryerësit e tyre të nxirren para drejtësisë, si dhe ndaj tyre të shqiptohen masa në përputhje me legjislacionin penal,sepse sulmi ndaj mantelbardhëve është sulm ndaj shtetit, është i dënueshëm dhe i pakompromis” thuhet në reagim.

Ky është reagimi i plotë:

Pas dy incidenteve, respektivisht sulmeve ndaj profesionistëve shëndetësor brenda javës, njëri në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren dhe i fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është informuar me gjendjen e punëtorëve shëndetësor të sulmuar fizikisht në vendin e tyre të punës.

FSSHK dënon çdo akt apo formë të dhunës, e në veçanti, dhunën fizike e cila është kthyer në një fenomen ndaj mantelbardhëve.

FSSHK kërkon nga organet e rendit dhe të sigurisë që të gjitha këto sulme dhe kryerësit e tyre të nxirren para drejtësisë, si dhe ndaj tyre të shqiptohen masa në përputhje me legjislacionin penal,sepse sulmi ndaj mantelbardhëve është sulm ndaj shtetit, është i dënueshëm dhe i pakompromis.

Mantelbardhët të gjithë pa dallim janë maksimalisht të përkushtuar dhe të pregatitur profesionalisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit, duke punuar edhe në kushte jo shumë të favorshme,të cilat janë edhe njëra nga arsyet e shpërthimit të dhunës nga ana e pacientëve qytetar të këtij vendi.

FSSHK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë,SHSKUK dhe Komunat që sigurinë në vendin e punës për punëtorët shëndetësor ta trajtojnë me prioritet dhe jo vetëm me deklarime publike.