Federata Franceze e Futbollit nis punën për të emëruar Zinedine Zidane si trajner të kombëtares
Federata Franceze e Futbollit ka nisur punën për ardhjen e Zinedine Zidane si trajner i ardhshëm i Kombëtares së Francës.
Edhe pse zyrtarizimi nuk pritet të ndodhë para përfundimit të Kupës së Botës 2026, emri i legjendës franceze tashmë konsiderohet prioritet nga drejtuesit e federatës, shkruan IndeksOnline.
Sipas asaj që raporton L’Equipe Federata Franceze e Futbollit po përgatit terrenin për pasardhësin e Didier Deschamps, i cili do të largohet nga posti i selektorit pas Botërorit.
Në këtë kuadër, janë nisur diskutimet për organizimin e stafit teknik që do ta shoqërojë Zidane në rast të emërimit të tij.
Presidenti i FFF ka bërë të ditur se federata dëshiron të ruajë stabilitetin deri në fund të turneut botëror, por puna në prapaskenë për një epokë të re ka filluar tashmë. Zidane, i cili ka qenë pa ekip që nga largimi nga Real Madridi, shihet si figura ideale për të marrë drejtimin e “Les Bleus”.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, pas verës së vitit 2026, Kombëtarja e Francës mund të drejtohet nga një prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit botëror./IndeksOnline/

