Federata sllovene paralajmëron: Nuk do të ketë tolerancë për flamuj kosovarë jashtë sektorit të mysafirëve
Na ndajnë edhe pak orë nga fillimi i ndeshjes Slloveni-Kosovë.
Ndeshja nis në orën 20:45, ndërsa dyert e stadiumit hapen që nga ora 18:45, për të shmangur tollovinë dhe për të lehtësuar hyrjen.
Federata e futbollit të Sllovenisë ka dalur me disa udhëzime rreth ndeshjes së sotme.
Një nga udhëzimet më të rëndësishme lidhet me simbolet kombëtare: tifozët e Kosovës lejohen të mbajnë flamuj dhe simbole vetëm në sektorin D, që është caktuar si zona e tyre e veçantë, e quajtur “Dardanët”.
Ndërsa ata të cilët marrin biletën në zonat A, B dhe C, nuk do të lejohen të marrin flamuj, simbole apo edhe fanellat e Kosovës.
Interesimi për ndeshjen është i lartë, përfshirë komunitetin kosovar që jeton në Slloveni, dhe pritet që stadiumi me 16 mijë vende të jetë i mbushur kryesisht nga tifozët tanë.
Një barazim sonte i garanton Kosovës kualifikimin për në play-off të Botërorit 2026, duke bërë këtë takim një prej ndeshjeve më të rëndësishme të futbollit kosovar./IndeksOnline/

