75 Mall Live Search
12:25 / E Hënë, 23 Janar 2023 / MSH

Fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së protestojnë kundër deklaratave të Kurtit për Ivanoviqin

Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas deklaratave që kishte bërë ditë më parë kryeministri Albin Kurti, lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Duke bërë thirrje që të mos provokohen, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

“Kryeministër mos na shkel në gjak. Stop, devijimit të historisë!” shkruhej në pankartën kryesore që po i prinë kësaj proteste.

Berat Rexhepi, organizator i kësaj proteste, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij.

Ai në emër të protestuesve kërkoi dorëheqjen e Kurtit dhe një kërkim falje.

“Me këtë protestë dua t’i them secilit politikan, pa dallim partie, se – nëse nuk jeni të aftë të mbroni këtë vend, këtë popull dhe sakrificën e tij shekullore, dorëhiquni. Dorëhiquni e mos na torturoni në mënyrë të përsëritshme. Dorëhiquni e mos ndikoni në çoroditjen dhe ndryshimin e fakteve historike.

Dorëhiquni e mos kontribuoni në agjendat e armikut për të ndryshuar historinë më të lavdishme të kombit, që është Lufta Çlirimtare për liri – dhe vetëm për liri.

Dorëhiquni sepse një mijë herë më mirë është të jesh nië individ anonim i ndershëm sesa nië politikan apo një udhëheqës tradhëtar.

Motoja jonë flet më shumë se nië mijë kompromise të ndyra politike: “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë!’

Moto kjo e cila prekë secilin qytetar të këtij vendi, pa asnjë dallim sepse secili prej nesh dha gjakun e familjës për të arritur këtu ku jemi. Me këtë moto duam të dergomjë mesazhin se, heshtja ndaj veprimeve destruktive dhe të rrezikshme është po ashtu një bashkëngjitje në faj dhe ne nuk duam më të bëhemi piesë e fajit, nuk duam të bëhemi pjesë e tradhëtisë.

Përmes kësaj proteste duam të tregojmë që ka ardhur koha për t’u distancuar dhe për t’i ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit tonë politikë, pa përjashtim pozite apo opozite, për më shumë kujdes, maturi dhe përgjegjësi ndaj historisë, të tashmës dhe të ardhmës së vendit tonë. Dhe për t’iu thënë se daklaratat e pamatura dhe të rrezikshme politike, ofendimet e tilla si ky që bëri Albin Kurti do të pasohen me kundërshtimin tonë dhe me kerkesën tonë për dorëheqje.

Mjaft u ofendua ky popull, durimin e të cilit po e konsideroni gjithmonë si injorancë dhe si paaftësi.

Por ne sot ju themi se: Ne nuk jemi as injorantë dhe as te paaftë, ne ju besuam dhe jemi ne ata që do t’iu kërkojmë llogari publike për shkeljet dhe për dëmet që po i’a bëni këtij populli”, tha ai.

Ai tha se fjalimi i kryeministrit Kurti është rasti më i shëmtuar se si një kryeministër shkelë mbi historinë e popullit të tij./indeksonline/

Indeksonline ju sjell pamje nga protesta: