“Fëmijët nuk mund të presin”: Apel i drejtpërdrejtë nga Adeline Sahiti për zhbllokimin e Kuvendit

Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adeline Sahiti, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës. Ajo thekson se kjo gjendje po ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve në vend dhe kërkon veprim urgjent nga përfaqësuesit politikë.
“Moskonstituimi i Kuvendit, përveçse dëshmon mungesën e përgjegjësisë nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur, po vazhdon të pengojë procese jetike që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve në vend. Asgjë nuk duhet të jetë më e rëndësishme se interesi i përgjithshëm. Për deputetët dhe subjektet politike, përparësi absolute duhet të jetë siguria dhe mirëqenia e fëmijëve tanë. Është koha për veprim. Mjaft më me neglizhencë! #përfëmijëttanë” – shkroi Sahiti në profilin e saj zyrtar.
Ky reagim vjen në një moment kur shumë procese vendimtare për qytetarët, përfshirë ato që prekin direkt fëmijët dhe familjet, janë bllokuar për shkak të zhvillimeve të fundit politike.

