14:32 / E Martë, 15 Mars 2022 / B O

Ferat Shala akuzon Qeverinë: KEK-u e Ujmani po shesin rrymë, KOSTT po blen dyfish më shtrenjtë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për ngritjen e çmimeve duke dhënë dyshimet e tij për keqmenaxhim.

Shala ka njoftuar se KEK-u e Ujmani kanë eksportuar energji, ndërsa KOSTT ka blerë dyfish më shtrenjtë.

“Kosova gjatë janarit dhe shkurtit ka eksportuar energji nga KEK-u dhe Ujmani, këtë nuk mund ta mohoni. Nuk është shumë e madhe por megjithatë dhjetra miliona janë mjaftueshëm për buxhetin e Kosovës. Kjo do të ishte në rregull sikur të mos ishte arsyetimi juaj që po e shtrenjtoni energjinë për shkak të importit. Në njërën anë KEK-u shet energji me çmim mesatar 150 euro për megavat në anën tjetër KOSTT-i blen energji me dyfish më shtrenjtë për të mbuluar çmimin për humbjet që ndodhin në pjesën veriore. A ka pasur mundësi meqë e keni marrë gjendjen nën menaxhim që së paku KOSTT-i për shumën që ka shpenzuar të mos blejë energji nga jashtë por ta marrë nga KEK-u”, ka thënë Ferat Shala./Indeksonline/