75 Mall Live Search
11:32 / E Shtunë, 15 Mars 2025 / A. M.

Ferat Shala: Në emër të liberalizimit të tregut, favorizohet mafia energjetike ballkanase!

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka shkruar për raportimet e ZRRE’së rreth ngritjes së çmimit të energjisë.

Përmes një reagimi të gjatë në Facebook, ai ka thënë se sipas ZRRE dhe KESCO, konsumatorët jofamiljarë duhet të paraqesin pranë KESCO dëshmitë nga Administrata Tatimore e Kosovës për të vërtetuar nëse përmbushin kriteret e furnizimit me shërbim universal.

“Në shumë shtete të Bashkimit Evropian dhe në rajon, liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka rezultuar me rritje të çmimeve për konsumatorët fundorë, sidomos në periudhat e para të implementimit. Konsumatorët kanë përjetuar rritje të ndjeshme të faturave të energjisë, pasi çmimet në tregun e lirë janë rritur krahasuar me ato të rregulluara nga shteti. Ky proces krijon presion mbi buxhetet e konsumatorëve dhe rrit shqetësimet për standardin e jetesës”.

Reagimi i plotë:

Nga mediat në Kosovë u raportua se ZRRE ka udhëzuar KESCO, si furnizues i shërbimit universal, të identifikojë konsumatorët familjarë dhe ata jofamiljarë, të cilët aktualisht e gëzojnë të drejtën e shërbimit universal. Nëse ata nuk i plotësojnë kriteret e të drejtës së shërbimit universal, duhet të dalin në treg të lirë duke filluar nga 1 qershori 2025. Sipas ZRRE dhe KESCO, konsumatorët jofamiljarë duhet të paraqesin pranë KESCO dëshmitë nga Administrata Tatimore e Kosovës për të vërtetuar nëse përmbushin kriteret e furnizimit me shërbim universal.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një proces kompleks dhe mund të sjellë “përfitime” për konsumatorët. Edhe pse Kosova është ndër vendet e fundit në rajon që i nënshtrohet këtij procesi, me kushtet që ofron tregu i energjisë elektrike në Kosovë, ky mund të konsiderohet një proces me pasoja të rënda për konsumatorët.

Në shumë shtete të Bashkimit Evropian dhe në rajon, liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka rezultuar me rritje të çmimeve për konsumatorët fundorë, sidomos në periudhat e para të implementimit. Konsumatorët kanë përjetuar rritje të ndjeshme të faturave të energjisë, pasi çmimet në tregun e lirë janë rritur krahasuar me ato të rregulluara nga shteti. Ky proces krijon presion mbi buxhetet e konsumatorëve dhe rrit shqetësimet për standardin e jetesës.

Vendosja e mijëra konsumatorëve në treg të lirë nga data 1 qershor 2025 do të krijojë vështirësi për ta, pasi tregu në Kosovë ende përballet me mungesë të gatishmërisë për t’iu përgjigjur kërkesave të konsumatorëve. Ndërkohë, disa tregtarë dominojnë pjesën më të madhe të tij, duke kufizuar konkurrencën.

Pas liberalizimit, në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme vendore, çmimet e energjisë elektrike do të varen nga kushtet e tregut vendor (treg me përqendrim të lartë, sipas raporteve të ZRRE) dhe ai ndërkombëtar. Kjo do të shkaktojë pasiguri dhe paqartësi për konsumatorët.

Gjithsesi, cilido qoftë vendimi i autoriteteve kompetente për këtë çështje, shteti duhet të ndërmarrë masa për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar një kalim të butë nga tarifat e rregulluara në ato të tregut.

Një anomali tjetër është fakti që konsumatorët nuk kanë mundësi të krahasojnë çmimet e energjisë ndërmjet furnizuesve, duke i ekspozuar ata përballë rreziqeve në procesin e gjetjes dhe përzgjedhjes së furnizuesit të tyre. Kjo do të reflektohet në faturat e tyre si barrë e përditshme financiare.

Në vendet me rrethana normale, hapja e tregut të energjisë elektrike karakterizohet nga avantazhet e saj në favor të tregut dhe konsumatorëve, siç janë transparenca, çmimet më të ulëta dhe cilësia e shërbimeve. Mirëpo, duke njohur gjendjen e tregut të energjisë elektrike në Kosovë, ku gjatë viteve të fundit sektori i energjisë ka qenë subjekt i shumë manipulimeve dhe dallavereve nga grupacione të ndryshme, dyshojmë se hapja e tregut do t’i bëjë favore vetëm grupacioneve të tregtarëve të energjisë elektrike. Si pasojë, tërë barrën financiare të këtyre dallavereve do ta bartin konsumatorët përmes tarifave të tyre.

Pa shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm në treg, çdo vendim mbi këtë çështje duhet të merret me kujdes. Është thelbësore që ky proces të ketë në qendër interesin e konsumatorëve e jo përfitimin e grupeve të caktuara në treg.

Duke ditur rëndësinë e reformimit të tregut të energjisë elektrike, ne pajtohemi dhe jemi të bindur që hapja e tregut të energjisë duhet të ndodhë, por vetëm pasi të krijohen kushtet e përshtatshme në treg, ku konsumatorët do të mund ta gjejnë furnizuesin e tyre potencial sipas kushteve të tregut, ashtu si në çdo vend tjetër normal.

Prandaj, shtrohet pyetja e thjeshtë: Kush do të jetë përfituesi i këtij procesi dhe cili do të jetë pozicioni i konsumatorëve pas daljes së tyre në treg?