Ferat Shala: UÇK s’ka pas arkiva, Besnik Bislimi nuk din gjë për këtë punë

Deklarata e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi për çështjen e hapjes së arkivave përfshirë edhe për UÇK-në ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pas asnjë lloj arkive dhe se Besnik Bislimi nuk din gjë për këtë punë.
“Deklarata e Besnik Bislimit tregon për nivelin që qeveria ka në përfaqësimin e saj në bisedimet me Serbinë. Një deklaratë e pamatur dhe e paanalizuar, e cila e mban peng pozicionin negociues të Kosovës në raport me Serbinë. UÇK s’ka pas arkiva, UÇK ka qenë bartëse e projektet nacional çlirimtar dhe nuk ka pas asnjë lloj arkive”, ka thënë Shala për “Indeksonline”.
Më tutje, ish eprori i lartë në UÇK, ka thënë se kjo do ta mbaj peng palën kosovare për shkak të deklaratave të tilla të pamatura dhe pa asnjë bazë.
“Do të jetë barrë morale e politike e kësaj qeverie edhe në takimet e ardhshme dhe do të jetë pjesë e keqe e saj që quhet negocim me Serbinë në gjithë dimensionin e saj edhe politik dhe historik”, ka shtuar Shala.
Shumica e partive politike në Kosovë e kanë kritikuar Bislimin për këtë deklaratë.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është shumë transparentë në këtë pjesë, duke shtuar se Serbia duhet t’i hap arkivat dhe të tregoj vendndodhjen e të pagjeturve./Indeksonline/