12:21 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / Blerim

Ferid Agani propozohet për president të Kosovës

Partia e Drejtësisë, dega në Gjilan, ka diskutuar për zhvillimet e fundit nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në një komunikatë shtypi, Partia e Drejtësisë, dega në Gjilan, ka kërkuar nga koalicioni qeverisës NISMA-AKR-PD, që kandidati për president të jetë kryetari i këtij subjekti politik(PD), Ferid Agani.

Komunikata e plotë:

Partia e Drejtësisë, dega në Gjilan, diskutoi për aktualitetin politik në vend dhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi. Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë, por edhe ajo politike, sidomos kur është fjala për pozitën e presidentit, do të gjenerojnë probleme sociale, politike, ekonomike dhe ato do të jenë aktive edhe për një kohë të gjatë.

Ky trend i zhvillimit politik kërkon zgjidhje të shpejtë kur është çështja te pozita e presidentit, në të kundërtën zgjedhjet janë të pashmangshme, dhe ato gjithsesi do të kenë efekte negative në buxhetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe mosplotësimit të nevojave të qytetarëve si institucione nëse vendi organizon zgjedhje si rezultat i moskonsensusit politik në raport me pozitën e të parit të vendit.

Andaj Partia e Drejtësisë, dega në Gjilan, kërkon nga koalicioni qeverisës NISMA-AKR-PD, që kandidati të jetë kryetari i këtij subjekti politik(PD), si kandidat konsensual, personalitet që do të përfaqsonte qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme, kandidat me emër dhe me bagazh të gjatë politik.

Prof. dr. Ferid Agani, një personalitet i njohur, që rrjedh nga një familje patriotike, me potencialin e tij propozohet kandidat për pozitën e presidentit për pesë (5) vjetët e ardhshëm nga PD-ja, dega në Gjilan, dhe ky propozim u bëhet në mënyrë publike subjekteve të koalicionit, por edhe opinionit publik.