75 Mall Live Search
16:23 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / KV

Ferizaj: 1 vit burg për babain që nuk pagoi alimentacionin

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.V., duke e dënuar me 1 vit burgim për veprën penale shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë, sipas nenit 245 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Seanca u kryesua nga gjyqtari Shabi Idrizi, i cili pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave materiale e personale, konstatoi se i pandehuri ishte fajtor për shmangie të vazhdueshme nga detyrimet ligjore ndaj fëmijëve të tij të mitur.

Sipas aktakuzës, F.V. nga 3 tetori 2024 e deri më tani i është shmangur pagesës së mjeteve të jetesës për dy fëmijët e tij, edhe pse ishte i obliguar me aktvendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj të datës 22 qershor 2023. Ai ishte i detyruar të paguante 700 euro në muaj në emër të alimentacionit, shumë e cila duhej t’i transferohej ish-bashkëshortes A.G.V., si kujdestare e fëmijëve.

Gjykata konstatoi se i pandehuri nuk ka përmbushur detyrimin ligjor dhe është shmangur me vetëdije nga pagesat e përcaktuara, duke cenuar mirëqenien e fëmijëve të tij.

Dënimi me 1 vit burg do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit me shkrim. Ankesa duhet të paraqitet në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Gjykata përmes këtij vendimi rikujton se shmangia nga obligimet ndaj fëmijëve konsiderohet shkelje e rëndë dhe sanksionohet sipas ligjit.