75 Mall Live Search
09:58 / E Hënë, 09 Qershor 2025 / k.v

Ferizaj: 1,358 gjoba dhe 36 aksidente gjatë javës – Policia apelon për kujdes në trafik

Policia rajonale e Ferizajt ka publikuar bilancin javor të gjendjes në trafikun rrugor, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 2 deri më 8 qershor 2025, janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.

Gjatë kësaj jave janë shqiptuar 1,358 gjoba për kundërvajtje, ndërsa janë pezulluar 31 patentëshoferë ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

Sipas statistikave të publikuara nga policia, janë regjistruar gjithsej 36 aksidente trafiku, prej të cilave:

17 aksidente me lëndime trupore, ku 23 persona kanë mbetur të lënduar,
19 aksidente me dëme materiale.

Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur aksidentet dhe pasojat e mundshme.

“Policia rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe u apelon qytetarëve që të bashkëpunojnë me ne”, thuhet në komunikatë.

Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo shkelje të ligjit në trafik përmes:

Stacionit më të afërt policor
Aplikacionit digjital “Lajmëro policinë”
Numrave të urgjencës: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406

Policia garanton se të gjitha të dhënat e raportuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.