Ferizaj: I moshuari gjen para në rrugë, i dorëzon në polici
Një i moshuar ka gjetur para në rrugë në Ferizaj, të cilat pastaj i ka dorëzuar në polici.
Policia ka ftuar pronarin e tyre qe të paraqitet në stacion për t’i tërhequr paratë, raporon IndeksOnline.
Postimi i plotë i policisë:
Më datë 12.01.2026, rreth orës 16:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari A. Cakolli, i moshës 61 vjeç, i cili ka dorëzuar një shumë të caktuar të parave, të cilat i kishte gjetur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj.
Paratë janë numëruar në prezencë të qytetarit dhe për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa është iniciuar “Shënim zyrtar”. Paratë ruhen në stacionin e policisë në Ferizaj.
Ftojmë qytetarin- pronarin e ligjshëm të kësaj shume të parave, të paraqitet në stacionin policor në Ferizaj për verifikim dhe për të tërhequr mjetet e tij.
Policia Rajonale e Ferizajt falënderon qytetarin A. Cakolli për gjestin shembullor dhe human, i cili tregon përgjegjshmëri dhe ndershmëri qytetare. /IndeksOnline/

