Ferizaj/ Keqtrajtoi kafshët, shoqërohet në polici 43-vjeçari

Gjatë ditës së sotme, stacioni policor në Ferizaj ka marrë një informatë në lidhje me një video që ishte publikuar në rrjetet sociale, ku shihen dy qen të racës “Kangall” duke u kacafytur rëndë.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhëndës polici për rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli, ku bëri të ditur se është identifikuar i dyshuari, A.K., 43 vjeç, i cili është ftuar për intervistim në stacionin policor.
Veseli, njoftoi se pas intervistimit nga hetuesit policorë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për “Keqtrajtimin e kafshëve dhe ndotjen e ushqimit dhe ujit të shtazëve”.
“I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do t’i kalojë Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia Rajonale e Ferizaj apelon te qytetarët që të trajtojnë kafshët me kujdes dhe përgjegjësi, dhe të mos lejojnë veprime që bien ndesh me ligjin. Ajo theksoi se çdo formë keqtrajtimi të kafshëve është e dënueshme me ligj dhe ftoi qytetarët që rastet e tilla t’i raportojnë menjëherë në numrin 192 ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë””, ka thënë Veseli./IndeksOnline/

