75 Mall Live Search
16:28 / E Hënë, 22 Qershor 2026 / F.R

Ferizaj: Mbi 1.200 gjoba trafiku brenda një jave, 44 aksidente dhe 20 patentë-shoferë të pezulluar

Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion, duke shqiptuar mbi një mijë gjoba dhe duke pezulluar dhjetëra patentë-shoferë gjatë javës së kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën 15-21 qershor 2026, policia ka shqiptuar gjithsej 1.219 gjoba kundërvajtëse ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë shkelur rregullat e trafikut.

Po ashtu, janë pezulluar 20 patentë-shoferë për kundërvajtje të rënda që paraqesin rrezik për sigurinë rrugore.

Gjatë kësaj periudhe në rajonin e Ferizajt janë regjistruar 44 aksidente trafiku. Prej tyre, 21 aksidente kanë përfunduar me lëndime trupore, ku janë lënduar 28 persona, ndërsa 23 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Nga Policia Rajonale e Ferizajt është bërë e ditur se aktivitetet e shtuara në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Policia ka apeluar tek shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, ndërsa ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo shkelje përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrin kujdestar 192./IndeksOnline/