Ferizaj me probleme serioze në furnizimin me ujë

Ferizaj po përballet me mungesë uji për shkak të temperaturave të larta. Kompania “Bifurkacioni” thotë se është detyruar të zbatojë reduktime, ndërsa banorët kërkojnë zgjidhje të shpejtë.
Për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, Ferizaj po përballet me probleme serioze në furnizimin me ujë.
Edhe pse fabrika për përpunimin e ujit në Pleshinë dhe stacionet e pompimit po punojnë me kapacitet të plotë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” është detyruar të aplikojë reduktime.
“Në vendin tonë po mbretëron një mot me temperatura shumë të larta, pa reshje. Si rezultat, burimet ujore janë në nivel të ulët dhe kërkesa e qytetarëve është rritur jashtëzakonisht. Për shkak të kësaj, jemi të detyruar të zbatojmë reduktime. Për më tepër, kemi identifikuar keqpërdorim të ujit, vaditje, larje veturash, të gjitha këto ndikojnë negativisht në furnizimin për qytetarët”, tha Jeton Shabani, kryeshef ekzekutiv i KRU “Bifurkacioni”, raporton rtk.
Situata më e rëndë paraqitet në rrugën “Brahim Ademi”, ku banorët ankohen se janë pa ujë tërësisht dhe po përpiqen të gjejnë forma alternative për ta grumbulluar atë.
“Sa i përket furnizimit, ne si lagje jemi në pikën zero. Me këto epruveta dhe hidroforë mundohemi të mbledhim pak ujë kur rrjedha është minimale, për t’i përmbushur nevojat bazike”, tha Sabri Salihu, banor.
Nga kompania “Bifurkacioni” ka apel që qytetarët të shmangin keqpërdorimet dhe ta shfrytëzojnë ujin në mënyrë racionale, për të garantuar furnizim më të drejtë për të gjithë.