Ferizaj në zi/ Hapen dyert e mortit për Brahim Ramusën, babain e katër fëmijëve që u vra nga kushëriri i tij

Paraditen e së martës, familja Ramusa në fshatin Balaj të Ferizajt ka hapur dyert e mortit, pas një tragjedie që e ka tronditur të gjithë zonën.
Viktima është 38 vjeçari Brahim Ramusa, i cili humbi jetën mbrëmjen e së hënës, si pasojë e plagëve të marra nga armë zjarri.
Brahim Ramusa ka lënë pas katër fëmijë të moshës së vogël, ndërsa dhimbja në familje është e pamasë.
Ekipi i IndeksOnline vizitoi familjen sot në mëngjes, por të afërmit nuk pranuan të flasin për media, duke theksuar se po kalojnë momente jashtëzakonisht të rënda.
I dyshuari për vrasjen është kushëriri i viktimës, djali i axhës së tij, një burrë rreth 50 vjeç, me të cilin Brahimi kishte pasur mosmarrëveshje të mëhershme.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, i dyshuari ka shtënë pesë herë në drejtim të Brahim Ramusës, duke e goditur katër herë në stomak.
Përkundër përpjekjeve për ta shpëtuar, plagët kanë rezultuar fatale. Hetuesit kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që i dyshuari ndodhet në ndalim policor./IndeksOnline/