20:15 / E Shtunë, 28 Mars 2020 / indeksADMonline

Ferizaji në qetësi të plotë, respektohet vendimi për mos-dalje pas orës 17:00

90 ka arritur numri i të infektuarve me COVID-19 në gjithë Kosovën. Sa i përket komunave ndër më të prekurat nga ky virus janë Malisheva, Gjilani dhe Prishtina.

Me të konfirmuar rasti i parë me COVID-19, Qeveria e Kosovës ndërmori një sërë masash në mënyrë që të parandalohet përhapja.

Ditë më parë u vendos ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në ora 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në ora 06:00. Kjo masë e ndalimit ndryshoi mbrëmë dhe prej sot lëvizja e lirë kufizohet që nga ora 17:00 deri në ora 06:00 në mëngjes.

Janë pikërisht qytetarët e Ferizajt që po respektojnë në mënyrë të përpiktë këtë masë, duke mos qarkulluar fare pas orës 17:00.

Në disa pamje të siguruara nga Indeksonline shihet qartë se sa mirë po iu përmbahen këta qytetarë rregullave të Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që virusi COVID-19 të mbahet sa më larg nga çdo familje.

Ferizajin e ka mbuluar heshtja në mbrëmje, por kjo heshtje do t’iu shërbejë për të mirë të gjithë atyre që frymojnë në këtë komunë.

Ndryshe autoritetet përgjegjëse për informacionet mbi koronavirusin kanë vazhduar të këshillojnë qytetarët që të qëndrojnë brenda dhe të kenë sa më pak kontakt me njëri-tjetrin në mënyrë që të mbrojnë veten, familjen dhe gjithë qytetarët nga përhapja e mundshme./Indeksonline/