Fermerët kërkojnë takim urgjent, paralajmërojnë nëse s’ka lëvizje: Do të na shihni çdo ditë në rrugë…!
Fermerët e pakënaqur të qumështit në Kosovë, kanë kërkuar takim urgjent me Ministrinë e Bujqësisë si dhe të gjithë akterët pa dallim, pas ndalimit të grumbullimit të qumështit tash e katër ditë, e paraprirë nga mbyllja e përkohshme e qumështores “Vita”.
Njëri nga fermerët tha se nëse kërkesat e tyre dhe takimi nuk realizohet, sipas tij, protesta si ajo e sotmja do të jenë prezente në rrugët e vendit.
“Nga ky moment kërkojmë urgjentisht nga ministri, grupet punuese, të gjithë akterët pa dallim, të bëhemi së bashku dhe të mbajmë një takim e të zgjidhim urgjent këtë çështje, përndryshe skena të tilla, pavarësisht dëshirave tona, mund të shohim çdo ditë nëpër rrugë”, tha njëri nga fermerët.
Pos tjerash, ky fermer tha se nuk duhet të luhet me dinjitetin e prodhueseve vendorë.
“Lopët nuk janë çezma. Nuk mund t’i ndalim sot të mos prodhojnë, e të presim deri në momentin e duhur. Shumica e këtyre fermerëve, që i shihni me këto mjete bujqësore, janë të zhytur në kredi të cilat duhet t’i paguajnë. Të mos luhet me dinjitetin e tyre. Kërkojmë urgjentisht takim dhe zgjidhje të këtij problemi një herë e përgjithmonë, pse jo t’ia shtrijmë dorën këtij ministri, atij ministri apo atij ministri”, tha ai.

