14:17 / E Martë, 06 Shkurt 2024 / S Z

Fermerët spanjollë bllokojnë rrugët, i bashkohen protestave të kolegëve të BE-së

Fermerët spanjollë bllokuan trafikun në disa nga autostradat kryesore të vendit të martën, duke iu bashkuar kolegëve në vende të tjera evropiane që protestojnë kundër kostove të larta, burokracisë dhe konkurrencës nga vendet jo anëtare të BE-së.

“Me nuanca të ndryshme, në të gjithë Bashkimin Evropian, ne kemi të njëjtat probleme,” i tha transmetuesit kombëtar TVE, Donaciano Dujo, nënkryetar i ASAJA, një nga shoqatat më të mëdha të fermerëve në Spanjë.

ASAJA dhe shoqata të tjera kishin bërë thirrje për protesta nga e enjtja, por shumë fermerë dolën në rrugë me traktorët e tyre të martën, duke bllokuar trafikun në të gjithë vendin nga Sevilja dhe Granada në jug deri në Giron pranë kufirit francez, thanë autoritetet e trafikut, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Ashtu si kolegët në Francë, Belgjikë, Itali dhe Portugali, fermerët spanjollë ankohen për peshën në rritje të burokracisë evropiane, çmimet e ulëta të prodhimit dhe kostot në rritje, transmeton Klankosova.tv.

Ata thonë se kërkesa e rregullave të vendosura ndaj fermerëve të BE-së për të mbrojtur mjedisin i bën ata më pak konkurrues se kolegët në rajone të tjera, si Amerika Latine, etj.

Gjatë ditëve të fundit, bllokadat në Francë dhe Belgjikë janë përshkallëzuar ndonjëherë në përleshje të dhunshme me policinë.