13:18 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / indeksADMonline

Një fermer nga Suhareka flet për vështirësitë, tregon se deri tashti ka humbur 300 mijë euro

Një jetë të tërë ia kushton punimit të tokës, e asnjëherë më vështirë nuk e patën të mbijetonim si fermerë sesa tani. Për pesë dekada, familja Bajraktari kultivon kultura të ndryshme bujqësore e me këtë veprimtari edhe jetuan, por tani humbjet e mëdha që po i pësojnë gjatë kohës së pandemisë, po u shkaktojnë telashe të mëdha.

79- vjeçari nga Suhareka tregon se së bashku me katër djemtë e tij kanë më shumë se 60 hektarë tokë që kanë punuar këtë pranverë. Në kohën kur filluan që disa kultivime bujqësore të dilnin në shitje, vendin dhe jo vetëm, e ka bllokuar situata pandemike.

Janë më shumë se 300 mijë euro humbje që ka pësuar Ramadan Bajraktari gjatë kohës së pandemisë, e për këto pesë dekada ai thotë se asnjëherë nuk ka pasur vështirësi më të madhe për të mbijetuar si fermerë.

“Ne e punojmë këtë punë që 40-50 vjet, unë që e punoj, kështu që jemi marrë me këtë veprimtari të bujqësisë. Kemi mbjellur, kemi edhe bahçe por edhe prodhime bujqësore, grurë, e misër. Sa i përket, për nga ana e komunës për ndihma e sene, asnjëherë nuk kemi pasur. Nuk e di unë pse, po krejt me forcat tona i kemi punuar”, thekson 79- vjeçari nga Suharekës.

60 hektarët tokë në Shirokë të Suharekës, Ramadani i punon me katër djemtë e tij, dhe me dhjetëra punëtorë. Thotë se tërë jetën ia ka kushtuar kësaj veprimtarie, por që vështirësi të madhe kanë tani edhe për të gjetur punëtorë.

“Për punëtorë është pak vështirë sepse këta të rinjtë veç gati po ikin prej këtu. Nuk po donë me punu këtu, se nuk po ka perspektive. Por, megjithatë, unë me katër djemë punoj këtu, por edhe nipërit këtë veprimtari”, tregon ai.

Humbjet që i ka pësuar familja Bajraktari janë deri në 300 mijë euro.

“Ne i kemi 60 hektarë tokë, duke i punuar me grurë, misër. Kjo pandemi shumë na la prapa, sepse më qe dy muaj, tre pak kemi punuar. Tash pak masi është liruar kjo pandemia, pak më mirë, dhe ka ardhur deri tek korrja e grurit, punimit të misrit e të gjitha….Përafërsisht humbje sigurisht janë 200-300 mijë euro. Tash e pas nëse korren ende, duhet me pas pak fitim”, shton ai.

Duraku ka bërë thirrje që të përkrahen nga Ministria e Bujqësisë, sepse sipas tij në të kundërtën gjithë këto toka do të mbesin ‘djerrinë’.

 “Ne kërkojmë që të na ndihmojnë komuna si komunë, për me i mbulu këto humbje se më këto humbje viti i ardhshëm është pak më zor. E tash sa na ndihmojnë nuk e dimë. Deri tash jo, e tash ta shohim”, thekson Bajraktari.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të ndajë mjete financiare ne vlerë 1 milion e 867 mijë e 107 euro. Kjo shumë do të shkojë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë bujqësore nga fatkeqësitë natyrore gjatë periudhës janar-qershor 2020.