Feronikeli e përmbyll me fitore fazën përgatitore në Turqi

FC Feronikeli ka fituar takimin miqësor ndaj skuadrës Rukh Brest, duke i mposhtur bjellorusët me rezultat 2-0.
Takimi ndaj Rukh Brest ishte miqësorja e fundit për sa i përket kësaj faze përgatitore të ekipit, që u mbajt në Antalya të Turqisë.
Formacioni shartues: Florjan Smakiqi; Ilir Berisha, Astrit Thaqi, Përparim Islami, Yll Hoxha; Besmir Bojku, Keith Groeneveld; Simon Loshi, Medjon Hoxha, Mendurim Hoti; Mevlan Zeka.
Skuadra jonë e kontrolloi takimin miqësor gjatë gjithë ndeshjes, dhe kishte dukshëm më shumë raste se kundërshtarët.
Në minutën e 42-të, mesfushori, Besmir Bojku, u fut bukur në zonë, duke dalë përballë me portierin kundërshtar dhe duke e mposhtur me një goditje të lehtë dhe të saktë.
Gola të tjerë nuk pati më gjatë pjesës së parë. Me fillim të pjesës së dytë, trajneri Agim Sopi, vendosi që të bëjë disa ndryshime.
Në lojë, gjatë pjesës së dytë u futën: Albert Dabiqaj, Kristi Kullaj, Ardi Qorri, Met Millaku, Dorent Hajdari, Kestrin Gashi dhe në portë, Jacek Deniz Troshupa.
Në pjesën e dytë u shënua edhe një gol tjetër, pas një presingu të lartë nga skuadra jonë, portieri kundërshtar goditi mbrojtësin e Rukh Brest dhe topi u fut në golin e tyre, për të dhënë epërsinë 2-0 për Feronikelin.
Skuadra e FC Feronikelit, të dielën, më datë 09 shkurt, do të kthehet në Kosovë.
