13:52 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / A. M.

Festë në familjen Jashari

Rifat Jashari sot ka një ditë të veçantë. Jashari feston datëlindjen e 74-ët.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Njoftimi i plotë:Sot ka ditëlindjen më i dashuri dhe më i respektuari ynë, ai që bashkë me balin Adem e babushin Hamëzen na mësuan e edukuan se si duhet punuar e sakrifikuar për liri e pavarësi. Me mixhën Rifat kemi banuar e punuar bashkë edhe në Gjermani, bashkë ishim edhe kur morëm lajmin për rënien heroike të familjes sonë. Mixha ishte afër meje në ditët më të vështira të jetës sime, ishin ditë plot dhimbje por edhe krenari. Sikurse shumë vellëzer e motra që na lehtësuan dhimbjen që ne kishim për më të dashurit tanë, që ia falëm lirisë së Kosovës. Atë kohë kishim mbetur pak në numër, por që ishim të gatshëm për lirinë e Kosovës të gjithë ta jepnim jetën. Bashkë me mixhën Rifat, Muratin, Lulin, Bashkimin, Ilirianën, Shqipen, Besartën, Fazliun e Marigonën përjetuam edhe ditët e para të lirisë së Kosovës, në Prekazin heroik. Kanë kaluar 22 vjet që nga rënia heroike e familjes Jashari, mixha Rifat ende mbetet udhërrëfyesi ynë, i nipave e mbesave, Jasharëve të rinj në rrugën tonë të kontributit për shtet e shoqëri. Urime ditëlindja mixhë, shëndet e mbarësi, të paqim gjatë!