16:48 / E Martë, 09 Korrik 2019 / indeksADMonline

Festivali i Birrës mohon se të miturve u është shitur alkool, thotë se do të kthehen vitin tjetër

Me vendim të Ministrit të Treftisë dhe Industrisë, Endrit Shala, mbrëmë është mbyllur Festivali i Birrës dhe Verës që kishte nisur këtë vit me datë 5 të këtij muaji.

Vendimi erdhi për shkak të shkeljeve të evidentuara respektivisht lejimit të hyrjes dhe konsumimit të pijeve alkoolike nga persona të mitur nën moshën 18 vjet, përcjellë Indeksonline.

Por, sot festivali ka dalë me një njoftim, të cilin e ka publikuar në llogarinë Facebook.

Sipas këtij njoftimi thuhet se ata respektojnë vendimet që dalin nga institucionet e Republikës së Kosovës, por se nuk pajtohen me rastin për të cilin është mbyllur.

Tutje thuhet se lejimi i personave të mitur është bërë të shoqëruar nga bashkëfamiljarët, ndërsa të njëjtit kanë paralajmëruar që festivali do të mbahet vitin tjetër.

Ky është postimi i plotë:

Beer and Wine Festival njofton të gjithë adhuruesit e saj se bazuar në Vendimin e MTI-së e përfundon edicionin e 7-të në 4 netët që kanë qenë të shkëlqyeshme me një atmosfere impozante dhe të paharueshme.

Vendimet e dala nga institucionet e Republikës së Kosovës ne do t’i respektojme plotësisht edhe pse nuk mund të pajtohemi në rastin konkret.

Në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, Besa Security, ne e kemi e ngritur edhe nivelin e kontrollit në ambientin ku po mbahej festivali. Janë marr të gjitha masat e parapara në pikat hyrëse duke bërë verifikimin e moshës përmes prezantimit të dokumenteve identifikuese dhe kontrollës sistematike të personave që kanë vizituar festivalin.

Lejimi i personave nën moshën 18 vjeçare ju është mundësuar vetëm atyre që kanë qenë nën përcjellje të bashkëfamiljarëve dhe asesi nuk ju ështe lejuar blerja e alkoolit në pikat shitëse. Pjesëmarrësit e brendeve alkoolike kanë qenë shumë mirë të informuar dhe të vetëdijshëm për pasojat që mund ti marrin në rast se ju shërbehet alkool të miturve.

Nëpër stande kanë qenë gjithashtu të vendosura edhe njoftimet për ndalimin e shitjes së alkoolit për të mitur – e paraparë me rregulloret në fuqi.

Arsye tjetër është edhe hapësira jo e mjaftueshme për mbajtjen e festivalit duke e pas parasysh rritjen e numrit të madh të adhuruesve të saj.

Do të shihemi në edicionin e radhës 2020 dhe për çdo risi do ju njoftojmë me kohë.