75 Mall Live Search
10:59 / E Shtunë, 01 Prill 2023 / Gj. Sh

Festuan më 27 janar për statutin me plot shkelje, tani FFK nuk licencohet – klubet në kolaps total dhe miliona euro të humbura

Ishte 27 janari i këtij viti, kur kishte festë në ambientet e shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar, pasi u votua statuti i ri i FFK-së.

Një statut me plot shkelje, të cilin shumica e klubeve që ishin pro nuk e kanë lexuar fare, pasi nëse ai veç se ish lexuar do ta kuptonin se ka shkelje.

Se statuti kishte shkelje e pranoi edhe zyrtari i UEFA-s që në fundin e muajit janar qëndroi në Prishtinë për të parë nga afër procesin.https://central.gjirafa.com/renderer.html?v=1.1

Gjithsesi kanë kaluar dy muaj dhe nga festa e madhe dëshpërimi është edhe më i madh, ku Federata e Futbollit të Kosovës, si federata më e madhe në vend nuk është licencuar fare nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

31 marsi ishte dita e fundit për licencim, dhe kjo është hera e parë që FFK nuk licencohet nga MKRS që është edhe goditja më e madhe për futbollin e Kosovës që tani do ta kaploj një krizë edhe më e madhe.

Shumë klube janë në krizë të madhe financiare, madje kishte fjalë që edhe kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani ka disa muaj pa paguar pagat e futbollistëve dhe këtë e kishte thënë publikisht analisti Liridon Leci në një studio televizive.

Por fjalët qarkullojnë se 80 për qind e klubeve të Superligës ndodhen në të njëjtën gjendje me disa muaj pa i paguar futbollistët.

E duke marrë parasysh se ligji për sponsorizim nuk vlen më në futbollin e Kosovës, kriza e klubeve pritet të thellohet edhe më shumë dhe ata që do të goditen më së shumti janë pikërisht futbollistët.

Që nga pranimi i futbollit kosovar me të drejta të plota në UEFA e FIFA gjendja nuk ka qenë më e rëndë në klube, pasi bëhet fjalë për miliona euro të humbura para që kanë ardhur në llogaritë e klubeve nga bizneset prej ligjit për sponzorizim.

Përkundër se kishte fjalë e premtime se licencimi do të ndodhte, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe kjo për faj të klubeve që votuan atë statut me shumë shkelje dhe përkrahen çdo gjë që ua servoi FFK.

Sikur mos të mjaftonte statuti me shkelje të shumta, FFK u godit nga skandali i madh ku u arrestua presidenti i saj Agim Ademi dhe u dërgua në arrest shtëpiak për 30 ditë pasi dyshohet për veprat “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Në anën tjetër Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK-së doli me një reagim të vonshëm duke u ankuar për sjelljen e Policisë së Kosovës dhe duke mos u marrë fare me licencimin e shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar.

Futbolli i Kosovës ndodhet në një gjendje të mjerueshme me shumë klube që kanë borxhe të mëdha dhe kjo për faj të tyre që votojnë e përkrahin gjëra pa i ditur mirë se çka janë. Me mos licencimin nga MKRS, futbolli vendor është rikthyer 10 vite mbrapa dhe rikthimi në normalitet duket shumë i vështirë edhe për disa vite.