FFK-ja i jep tender pronarit të SC Gjilanit

Federata e Futbollit të Kosovës është duke i vazhduar punimet në Kampin Nacional Edukativ në Hajvali. Ky kompleks për t’u përfunduar po ndihmohet edhe nga kompania “Tali SH.P.K”. Kamionët e kompanisë “Tali” janë parë duke kryer punë në kompleksin e Kampit Nacional Edukuativ.
Gazeta online “Insporti” ka siguruar një fotografi ekskluzive në të cilën shihet një nga kamionët e kompanisë “Tali SH.P.K”.
Pronar i kompanisë “Tali” është Florim Zuka, njëkohësisht edhe pronari i klubit SC Gjilani.
Bossi i klubit gjilanas e ka konfirmuar se kamionët janë të kompanisë që ai drejton.
“Po unë jam pronar i kompanisë Tali, dhe ne jemi nënkontraktor në punimet tek Qendra Stërvitore e Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali. Tenderin e ka fituar kompania Milenium SHPK, ne jemi nën kontraktor dhe kemi filluar punën qe dy tri ditë”, tha Zuka.
Por, biznesmeni mohoi të ketë ndikuar fakti që ai është i përfshirë në futboll në lidhje me këtë tender.
“Jo nuk ka ndikuar asgjë, nëse do të kishte ndikuar, unë do ta fitoja vetë tenderin” – u shpreh ai.
Megjithatë, Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka folur asgjë në lidhje me këtë tender.