18:04 / E Mërkurë, 17 Mars 2021 / Blerim

FFK-ja s’e akrediton, gazetarin kosovar e ndihmon Federata e Spanjës

Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të mos i akreditojë gazetarët që kritikojnë këtë institucion.

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të udhëtoj gjatë këtij muaji për në Sevillë të Spanjës për ndeshjen ndaj kësaj të fundit – e rëndësishme për parakualifikimet në Kupën e Botës ‘Katari 2022’, shkruan IndeksOnline.

Gazetari i njohur kosovar, Arlind Sadiku është refuzuar nga FFK-ja, pasi s’e akredituan për këtë ndeshje.



Megjithatë, Sadiku ka komunikuar me Federatën e Futbollit të Spanjës dhe ka marr akreditimin për ndeshjen Spanjë-Kosovë.

“Ky është kulmi! Që më ndihmon Spanja për një çështje të tillë, para Kosovës, nuk e kisha mendu kurrë. Federata e Futbollit të Kosovës e ka marrë përsipër akreditimin e gazetarëve për ndeshjen Spanjë – Kosovë që zhvillohet në Sevilje. Kam apliku pardje për akreditim në FFK dhe sot në mëngjes ma kthyen kërkesën me refuzim, kinse nuk ka vend në stadium. Meqë ndeshja luhet në Sevilje, normalisht që aty nuk pyetët Agim Ademi. Unë i parashtrova kërkesë për akreditim direkt Federatës së Spanjës dhe ata ma miratuan. Definitivisht, ky është kulmi i marrëzisë”, ka shkruar Sadiku në rrjetet sociale.

Kjo nuk është hera e vetme që Federata e Futbollit të Kosovës nuk i akrediton gazetarët e sportit për ndeshje të tilla./IndeksOnline/