75 Mall Live Search
15:21 / E Hënë, 07 Korrik 2025 / L A

Fillimi i përgatitjeve të Liverpoolit për edicionin e ri shtyhet për një ditë shkaku i tragjedisë së Diogo Jotas

Do të jetë një fillim i përgatitjeve i përcjellë me trishtim ai i Liverpoolit, i cili do t’i kthehet punës nesër në “AXA Training Centre”, me një ditë vonesë në krahasim me programin fillestar.

Motivi tashmë dihet: shuarja e Diogo Jotas dhe e vëllait të tij André Silva, që ndodhi në natën mes së mërkurës dhe të enjtes në një aksident tragjik komunikacioni në Spanjë.

Siç raporton “Liverpool Echo”, “Reds” kanë vendosur ta shtyjnë fillimin e përgatitjeve verore në respekt të dhimbjes që e ka goditur thellësisht krejt ekipin.

Fillimi i përgatitjeve ishte në plan për sot, por lojtarët do t’i nisin stërvitjet vetëm nesër për t’u përgatitur për sezonin e ri.

Disa anëtarë të skuadrës, përfshirë këtu trajnerin Arne Slot, kanë marrë pjesë të shtunën në varrimin e Jotas në qytetin e tij të lindjes, Gondomar, në periferi të Portos.

Jota dhe vëllai i tij ishin duke shkuar në Angli për fillimin e përgatitjeve kur, pas shpërthimit të gomës, Lamborghini me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët.

Futbollisti portugez, së fundmi i operuar në mushkëri, e kishte evituar rrugëtimin me aeroplan me këshillë të mjekëve, duke e zgjedhur rrugën përmes tokës, që në fund doli të ishte tragjike.

Liverpooli do ta zhvillojë ndeshjen e parë miqësore të dielën e 13 korrikut kundër Preston North End në Deepdale, por tash kjo ndeshje rrezikon të anulohet.

Klubi ka bërë të ditur se vendimi do të merret pas një takimi mes stafit teknik dhe lojtarëve, të cilët janë ende të shokuar nga tragjedia.

Në ndërkohë, klubi dhe tifozët po ju qëndrojnë afër familjarëve të Jotas dhe në mendjen e tyre është kujtimi për një shok aq të vlerësuar dhe aq të dashur skuadre